Në mesin e 38 personave që janë arrestuar për drogë në kuadër të bashkëpunimit mes antimafias italiane dhe SPAK-ut, është dhe prokurori i Vlorës Maksim Sota.
Ky i fundit ka drejtuar për disa vite prokurorinë e Vlorës, ndërsa ka qenë dhe kandidat për të qenë pjesë e SPAK-ut.
Burimet bëjnë me dije se në qytetin e Vlorës janë arrestuar dhe disa punonjës e ish-punonjës policie, ndërkohë që aksioni është shtrirë në disa qytete të vendit.
Sota akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij është dhënë masa e arrestit të shtëpisë.
Gara për SPAK/ Drejtuesi i Prokurorisë përballet me KLP: Kam zgjedhur gjithmonë dosje e vështira
Gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha dhe prokurori i Sarandës Sali Hasa janë dy prej ”peshqve të mëdhenj” që kanë rënë në pranga në sajë të megaoperacionit që është marrë nga antimafia në bashkëpunim me SPAK, dhe që kulmoi në lëshimin e 38 urdhër arresteve.
Gazetari i Fax News Elvis Myrta raporton se edhe prokurori i Kukësit Edmond Karriqi, dyshohet se ka dalë në përgjime në kuadër të të njëjtit operacion. Mes të arrestuarve ka dhe zyrtarë të policisë, identitetet e të cilëve do të bëhen me dije më vonë.
Mësohet se droga që ka trafikuar ky grup i strukturuar kriminal kap shifrën e 40 milionë eurove.
Në total mësohet se janë lëshuar 38 urdhër arreste, nga Prokurori i Antimafias në Itali dhe kreu i SPAK Arben Kraja në Shqipëri jaën ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Pritet që në orën 10.30, zyrtarët më të lartë të dalin në një konferencë.
Urdhër arrestet janë për drogë, korrupsion, por edhe shpërdorim detyre, çka tregon se mund të kemi zyrtarë shtetërorë të përfshirë. Hetimet për këtë dosje kanë nis që në 2018, akte të hetimit i kanë kaluar më tej edhe autoriteteve shqiptare dhe është finalizuar mengjesin e sotëm.
Hetimi ka 4 bashkëpunëtor të drejtësisë që kanë dhënë detaje në lidhje me aktivitetin kriminal të drogave, por që nxori edhe paligjshmëri të tjera.
Operacioni është koordinuar nag selia e Eurojust në Hagë, Holandë. Gjithashtu, bëhet me dije se autoritetet e drejtësisë kanë lëshuar disa urdhra për sekuestrimin e miliona eurove që janë investuar nga të arrestuarit në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Siç shihet nga pamjet e mëposhtme, arrestimet janë kryer për disa episode që kanë të bëjnë me trafikun e drogës nga brigjet shqiptare, drejt Pulias në Itali.
(E.K/Faxweb.al)