Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se jemi gati që nesër për zgjedhje të parakohshme, por që ato të garantojnë votën e lirë.
Kreu i opozitës për herë të parë pranoi se nuk ka më kushte specifike, por “kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës”.
Basha thotë se zgjedhjet i duhen Shqipërisë shumë më shumë sesa Maqedonisë së Veriut, e cila nga ana e saj, pas refuzimit të hapjes së negociatave me BE-në, vendosi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në një intervistë për Vizion Plus, Lulzim Basha, foli për situatën e fundit politike dhe shprehu vullnetin e partisë që ai drejton për t’i dhënë fund krizës politike.
INTERVISTA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME GAZETAREN OLTA BLACERI PËR VIZION PLUS.
Pyetje: Zoti Basha, më 18 tetor Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pse mendoni ju që është faji i qeverisë, përgjegjësia e qeverisë? Pse kërkoni ju zbatimin e skenarit maqedonas për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme?
Lulzim Basha: E para, nuk e them unë. E thotë vetë Bashkimi Europian që, në rastin e Shqipërisë, nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet po kështu, këto vende i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë. Por, mendoj se, në vend që të mbështetemi tek deklaratat e 18 Tetorit apo pas 18 tetorit, le të marrim dokumentin e shkruar që nuk lë vend për abuzime, që është rezoluta e Bundestagut, e cila fare qartë tregon rrugën për të hapur negociatat. Kjo rrugë kalon përmes zgjidhjes së krizës politike, përmes dënimit të atyre që shkatërruan zgjedhjet e vitit 2016 dhe vitit 2017, përmes një reforme të vërtetë zgjedhore me pjesëmarrje të gjithë forcave politike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pa plotësimin e këtyre kushteve, Gjermania nuk është në gjendje të thotë “Po”.
Pyetje: Pse na duhen zgjedhje të parakohshme në fakt, si në Maqedoni? Pse është zgjidhja kjo?
Lulzim Basha: Në fakt, Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit, ata që kanë një fije përgjegjësie ndaj vendit dhe që vendosin interesat e vendit para interesave të veta. Në rastin e Shqipërisë, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për të kthyer legjitimitetin e një parlamenti, që tashmë është dëshmuar që është produkt i bashkëpunimit të Partisë Socialiste, të Edi Ramës me bosat e krimit të organizuar. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita shqiptare apo ato pak zëra të pavarur të medias shqiptare, tashmë, këtë e thonë politikanët europianë, e thonë vendimmarrësit europianë, e thotë media europiane.
Pyetje: Jeni gati ju të shkoni në zgjedhje të parakohshme? Kushtetuta e parashikon për 45 ditë. Apo duhet të plotësojmë kushte të tjera?
Lulzim Basha: Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës.
Pyetje: Si?
Lulzim Basha: Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash.
Pyetje: Ka një debat që po bëhet tashmë prej 9 muajsh, me Edi Ramën kryeministër? Pa Edi Ramën kryeministër?
Lulzim Basha: Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 Qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Një njeriu që nuk e lëshon pushtetin edhe kur është shkaktari i refuzimit për herë të katërt të hapjes së negociatave, pra, që ka pushtetin më të shenjtë se çdo gjë tjetër, a mund t’i besohet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo! Po të shikojmë shembullin e fqinjit tonë lindor, edhe aty, 100 ditë para zgjedhjeve do të kemi një kryeministër tjetër dhe një kabinet kujdestar, i cili do të garantojë që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, përballë janë dy interesa të ndryshme, interesi i qytetarëve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është edhe interesi i opozitës, dhe interesi i Edi Ramës për ta mbajtur pushtetin e marrë me krimin pa zgjedhje apo, në rastin më të mirë, të jetë përsëri ai që të diktojë rezultatin dhe jo qytetari shqiptarë. Kjo, natyrisht, është e papranueshme, kjo vetëm e thellon krizën. Prandaj, ne jemi fare të qartë dhe të vendosur në kërkesat tona, sepse nuk po kërkojmë asgjë për veten tonë. Po kërkojmë që shqiptarët të vendosin qeverinë që meritojnë me votë. Në qoftë se zoti Rama nuk ka frikë nga vota e qytetarëve, le t’i hapë rrugë një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, të paraprirë nga një reformë zgjedhore, siç e kërkon Bundestagu, me një qeveri kujdestare që garanton vullnetin e munguar në të paktën tre palë zgjedhje, që janë edhe arsyeja kryesore, janë rrënja e së keqes është arsyeja kryesore përse, në mënyrë të përsëritur, na mbyllet dera e Europës para hundës.
Pyetje: Ju përfaqësoni interesat e qytetarëve që besojnë tek opozita, z. Rama përfaqëson interesa, ka mbështetjen e socialistëve. A jeni gati ju të uleni me Kryetarin e Partisë Socialiste në një tryezë dialogu për t’i çelur rrugën zgjidhjes së krizës?
Lulzim Basha: Nuk kemi përjashtuar asnjëherë dialogun. Por dy gjëra të ndryshme është propaganda, pra, ulja për t’u ulur, siç ndodhi në 2017-ën, ku u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesat tona politike. U nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua dhe Edi Rama mori apo mbajti pushtetin në bashkëpunim me krimin e organizuar. Ndërkohë, çdokush që u kap duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të marrë pushtetin për Edi Ramën, jo vetëm që nuk u ndëshkua, por u promovua. Këto janë arsyet përse Shqipëria ka mbetur në vend. Sepse kjo nuk është një Shqipëri përfshirëse, është Shqipëri përjashtuese, që përjashton, praktikisht, jo vetëm opozitën, por gjithë shqiptarët nga vendimmarrja, nga institucionet, nga barazia para ligjit, nga mirëqenia ekonomike. Këto janë arsyet e vërteta pse Shqipëria është në kolaps ekonomik, në kolaps psikologjik dhe në emigracionin më masiv që ka njohur ndonjëherë që nga fillimi i viteve ’90. Për t’i zgjidhur këto është fare e thjeshtë, rruga përpara: garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk kërkon ndonjë përpjekje të jashtëzakonshme, kërkon që ne të zbatojmë ato kushte që na ka vënë edhe Gjermania, edhe Europa për të hapur negociatat.
Të arrestojmë dhe të dënojmë personat që u kapën nga prokuroria duke vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin si në vitin 2016, ashtu edhe në vitin 2017.
Të bëjmë të mundur një reformë zgjedhore, e cila garanton mospërsëritjen e problemeve të zgjedhjeve të kaluara, ku kryesore ka qenë mungesa e vullnetit politik.
Për ne e vetmja mënyrë për të garantuar këtë është një qeveri kujdestare, njësoj siç e ka vendosur në Kushtetutë edhe Maqedonia dhe t’u japim shqiptarëve mundësinë të votojnë e të zgjedhin e të shkarkojnë qeveritë me votë pa qenë ky fundi i botës. Ky është normaliteti i demokracisë. Qeveritë ndërrohen nga votat e qytetarëve. Është anormale dhe jodemokratike mbajtja e pushtetit dhe vënia e pushtetit personal mbi interesat e njerëzve dhe kjo është arsyeja përse Shqipëria u ndëshkua me datë 18 tetor.
Pyetje: Ju thatë, pas takimit me shefen e misionit të OSBE/ODIHR-it, që reforma zgjedhore është e vetmja rrugë për të dalë nga kriza. Pati një moment konsensusi, kur PD mori pjesë në një tryezë të OSBE/ODIHR-it. Prej atij momenti nuk kemi patur asgjë. Është prishur konsensusi? Po kërkohet të gjendet një rrugë që PD të jetë pjesë e reformës zgjedhore?
Lulzim Basha: Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kemi marrë një përgjegjësi që, në fakt, nuk na takon ne, por i takon maxhorancës. Por, siç e keni parë, z.Rama e ka trajtuar këtë si një luks personal dhe mendon se, duke u tallur apo duke krijuar procese fallco dhe artificiale, do të arrijë të blejë pak më shumë kohë. Nuk arrin dot ta shesë sapunin për djathë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta: reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër, por të zbatohet. Që do të thotë, për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale. Pikërisht për ta bërë këtë të mundur ne propozuam një mekanizëm, ku të gjithë palët të ulen dhe, pa humbur kohë, të marrin përgjegjësitë e tyre. Ky propozim, me 5 pika, është akoma në tavolinën e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ky nuk është momenti për të bërë lojra, por është momenti për të marrë përgjegjësitë dhe për t’i hapur rrugë një procesi të vërtetë, një reformë të vërtetë zgjedhore. Me hapat e ndërmarrë dje dhe me deklaratat që kam dëgjuar deri më sot, duket qartë që as Edi Rama dhe as bashkëpunëtorët e tij nuk kanë interes në një reformë zgjedhore, sepse kjo, automatikisht, çon në ndërprerjen e lidhjeve midis qeverisë dhe krimit, çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe çon në atë konkluzion që sot e di çdo shqiptar, rotacionin e pashmangshëm, i cili për ne është i pamjaftueshëm. Sepse ky rotacion duhet të sjellë më vete jo thjesht premtimin, por garancinë për shqiptarët që çdo qeveri e re dhe çdo parlament i ri nuk do të kapet nga sëmundjet e kësaj që po lëmë pas dhe të 30 viteve tranzicion.
Pyetje: Kryeministri Rama në fakt ka 79 vota, nuk e kalon dot reformën pa votat e deputetëve që kanë dalë nga listat e PD dhe LSI…
Lulzim Basha: Këto janë çështje teknike, tërësisht të parëndësishme.
Discussion about this post