Ministri i ri i Punëve të brendshme Fatmir Xhafaj, firmos udhëzimin për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet në Kavajë.
Në këtë udhëzim parashikohet hartimi i listave zgjedhore në format elektronik, sipas afateve ligjore dhe shkarkimin on-line nga aplikacioni përkatës, nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Në këtë udhëzim thuhet gjithashtu se nëpunësi i zyrës së Gjendjes Civile në rast se konstaton se qendra e votimit ka më pak se 200 zgjedhës, apo me më shumë se 1000 zgjedhës, njofton brenda 48 orëve, Kryetarin e Bashkisë në detyrë.
“Zyrat e gjendjes civile në bashki, brenda datës 29 mars 2017 printojnë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe firmosin e vulosin listën e zgjedhësve për çdo qendër votimi, në tre formatet e parashikuar nga Kodi Zgjedhor, duke përfshirë edhe institucionet e posaçme, nën juridiksionin territorial të saj dhe ia dorëzojnë Kryetarit në detyrë.
Kryetari në detyrë miraton dhe firmos listën dhe e dërgon brenda datës 31 mars 2017 , në KZAZ-në përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon listën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e publikon atë në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Zgjedhësit, të cilët pas shpalljes së listës së zgjedhësve konstatojnë se në përbërësit e tyre zgjedhorë ka mos përputhje, i drejtohen gjykatës për korrigjimin e listës.”, janë disa nga udhëzimet.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie në Kavajë, do të mbahen më 7 maj të këtij viti, pas shkarkimit të Elvis Roshit. Kandidatja më e favorizuar e PS-së deri më tani duket të jetë bashkëshortja e Gentjan dajës, Silvana Daja. Ndërkohë opozita ka paralajmëruar që nuk hyn në zgjedhje pa qeveri teknike. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post