Mbrëmjen e sotme do të zhvillohet sfida midis Kombëtares Shqiptare dhe asaj turke, takim ky i vlefshëm për kualifikueset e “Euro 2020” e që do të luhet në orën 20:45 në “Loro Boriçi”.
Për këtë policia ka marrë masa të rrepta që të sigurohet mbarëvajtja e ndeshjes si dhe rendi dhe siguria në stadium ku njëra nga masat kryesore është pikërisht kufizimi i qarkullimit në rrugët përreth stadiumit, sikurse edhe parkimi i automjeteve.
Tifozët që do ta ndjekin nga shkallët e stadiumit janë akomoduar dhe deri më tani nuk ka patur asnjë incident. Përfaqësuesja kuqezi pas mbarimit të ndeshjes do të kthehet sërisht në Kompleksin Tropical ku dhe është grumbulluar aktualisht, për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë zyrtare të datës 25 Mars që do të zhvillohet në Estadi Nacional ndaj Andorrës.
Ditën e djeshme, trajneri Panucci në fjalën e tij theksoi: “Kanë punuar mirë. Është ambient mirë. Djemtë janë gati për ta luajtur këtë ndeshje. Të shikojmë nesër…. Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë, kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe 1 gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu. Turqia ka një skuadër të fortë, por nëse lojtarët kundërshtarë janë të përqendruar për 90 minuta, do të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë. Unë jam pozitiv, dhe skuadra është e përgatitur. Ka kualitet, siç ka edhe Turqia. Jam i bindur që mund të arrijmë një fitore, por gjithçka mbetet për t’u parë nesër. Duhet të japim maksimumin në fushë. Skuadra ka potencial. Të përqendrohemi tek Turqia dhe Islanda, Francën ta lëmë në terezinë e saj. Skuadra është e konsoliduar, por ka shumë rrugë për të bërë. Kjo skuadër është si një minë me sahat, mund të shpërthejë kurdo dhe, të bëjë gjëra të mëdha”.
Kapiteni Hysaj në fjalën e tij u shpreh: “Grupi që kemi tani është fantastik. Njihemi mirë me njëri-tjetrin. Kemi marrë leksione për gabimet që kemi bërë. Shpresoj të vazhdojmë nga ndeshja e fundit që e lamë me fitore. Jam i lumtur që do të luaj në shtëpinë time si kapiten. Është ndjesi shumë e mirë. Nëse është nevoja të bëj edhe një rol tjetër do ta bëj me gjithë maksimumin tim. Sulmuesit që ka Turqia i kemi takuar dhe në Serinë A dhe aty kemi të bëjmë në çdo ndeshje me lojtar të tillë dhe jemi përgatitur të mbrojmë mirë ndaj Turqisë”, ka përfunduar kapiteni Hysaj.
(F.GJ/FAXWEB.AL)