Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 41 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve në 43.061. Kjo shifër, megjithatë, nuk përfshin mbi 90 personat e vrarë sot në sulmin ajror izraelit ndaj një ndërtese banimi në Beit Lahia në pjesën veriore të Rripit të Gazës.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se rreth 101.223 persona të tjerë u plagosën nga sulmet. “Okupuesi izraelit ka kryer katër masakra të familjeve në ditën e djeshme, duke rezultuar në 41 të vrarë dhe 113 të plagosur”, tha ministria, duke shtuar se shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë. Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndalur luftën.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza.