Gazeta katalanase “Sport” e ka parë në një kënvështrim lokalist triumfin e mbrëmshëm të Real Madridit, që siguroi titullin kampion në La Liga, i 34-ti në historinë e klubit të bardhë. Me siguri, te Barcelona, flamuri është në gjysmështizë… Zhgënjimin e përcolli qartë dhe me shpërthim të pazakontë vetë kapiteni Leo Messi, duke dhënë alarmin se kështu nuk ecet përpara as në Champions, madje nuk kalohet edhe Napoli për të shkuar në çerekfinale. Sidoqoftë, në emër të krenarisë së lënduar, “Sport” e ndërton ndryshe ekuacionin, përmes shkrimit në vijim, të titulluar: Messi, 10 – Real Madrid, 5.
“Pushtimi i La Ligas 2019-2020 nga Real Madridi, sado që performanca e Barçës në ndeshjet e fundit ka qenë e dobët, nuk fsheh një fakt objektiv. Që kur Leo Messi debutoi me ekipin e parë të Barçës, ai ka fituar dyfishin e titujve të rivalit të madh. 10-5 Me numrat në dorë, epoka e Messit vazhdon të jetë një epokë e dominimit karshi madrilenëve në kampionatin spanjoll. Që nga debutimi i argjentinasit në La Liga, në sezonin 2004-2005, me Frank Rijkaard në stol, deri në sezonin aktual, Barça ka fituar 10 tituj kampioni, karshi të tillëve nga Real Madridi dhe një nga Atlético Madrid.
Disa shifra të qarta, që flasin për besueshmërinë dhe vazhdimësinë e ekipit katalanas në këtë drejtim. Kur keni një lojtar si Leo në radhët tuaja, me shifra të tjera stratosferike, siç janë 12 vitet radhazi në të cilat ka shënuar më shumë se 20 gola në çdo kampionat, ose shtatë “Këpucat e Arta”, që argjentinasi mund ta fitojë edhe kësaj here, atëherë suksesi është thuajse i garantuar. Me Messin në përbërje, Barça ka fituar titujt e këtyre sezoneve: 2004-05, 2005-06, 2008-09, 2009-10, 2010-11, 2012-13, 2014-15, 2015-16, 2017-18 dhe 2018-19 .
Thënë kjo, Barça mund të kishte një performancë më të mirë në sezone si ky aktuali, që e pa kryesuese deri në shpërthimin e koronavirusit, ose në vite të tjera si ai i Tata Martino, kur Atlético Madridi ia mori trofeun në sfidën e fundit direkte. Janë gjashtë, kampionatet në të cilat Barça nuk ka triumfuar, që kur ka debutuar me të Leo Messi: 2006-07, 2007-08, 2011-12, 2013-14, 2016-17 dhe 2019-20. E thënë shkoqur; mbizotërimi i Barçës me Messin në La Liga ka qenë i qartë, por klubi mund ta kishte shfrytëzuar më mirë praninë e tij, në mënyrë që të kishte fituar më shumë tituj të La Liga-s”.