Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka komentuar indinjimin e Drejtorit të Komunikimit në kryeministri, Endri Fuga, për sjelljen e gazetarëve ndaj shefit të tij.
Përmes një postimi në Instastory, Aleanca i shkruan Endri Fugës se mediat nuk janë aq të lira sa pretendon ai, duke i kujtuar edhe censurën e mediave për protestën e “Teatrit Kombëtar”. Në postim theksohet se vetëm “Fax News” ka guxuar ta transmetojë maratonën e gjatë të protestës së artistëve për godinën e Teatrit Kombëtar.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shkruan se Endri duhet të jetë mirënjohës që ende nuk është aprovuar ligji anti-shpifje pasi me shumë gjasa ai mund të ishte viktima e parë.
“I dashur Endri
Të lexuam me shumë kërshëri teksa flisje për lirinë e madhe të medias në kohën e qeverisë tuaj. Donim shum të të besonim teksa përmende gazetarë të lirë që guxojnë të mos respektojnë kryeministrin tënd. Pastaj kthyem kokën nga Sheshi i Teatrit dhe pamë që vetëm një televizion guxon të filmojë protestën tonë.
Endri, ji mirënjohës që nuk është aprovuar ligji anti-shpifje pasi me shumë gjasa mund të ishe ti viktima e parë”, shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në postim.
Kujtojmë që sot Endri Fuga ka kritikuar gazetarët që ishin dje përballë ish-kryeministrit Sali Berisha në emisionin Open, duke i quajtur ata të squllur përballë liderit historik të demokratëve. Sipas Fugës 100 herë më mirë mosmirësjellja e tyre përballë Ramës, sesa qëndrimi që kanë pasur përballë Berishës. Gazetarët që ka etiketuar si të squllur Fuga janë Arian Çani, Eni Vasili, Ervis Iljazaj dhe Alfred Peza.
“Kur ju shoh se si squlleni per inerci perballe Saliut, jam shume krenar qe e nxorrem ne pension kete vjetersire komuniste! 100 here me mire mosmiresjellja juaj ndaj Kryeministrit te sotem, sepse tregon se jeni krejt te lire edhe pse s’jeni hiç etike”, shkruante ai.
(J.D/Faxweb.al)
Discussion about this post