Fatos Mahmutaj, gazetari i plagosur gjatë protestës së 21 janarit të vitit 2011 ritregon edhe njëherë me detaje të reja të gjithë ngjarjen. Si u plagos, zhvillimet në redaksinë e ”ABC News”, cili koleg e ndihmoi dhe momentet gjatë ekspertizës ligjore.
Fatos, jemi 6 vjet pas ngjarjes së 21 Janarit. Çfarë ndodhi konkretisht me ty atë ditë? Si ndodhi plagosja?
Ndodhesha në bulevardin kryesor për të raportuar rreth protestës që aty pas orës 14.00 kishte nisur të bëhej e dhunshme. Nga studiot e televizionit kam dalë vonë bashkë me dy kameramanë, ne ishim të fundit ose më saktë grupi ‘rezervë’. (Kam përshtypjen se edhe dy kameramanët përfunduan pak kohë më vonë azilantë për shkak të problemeve me këtë ngjarje. Njëri prej tyre, Sokol Peca jeton aktualisht në Gjermani).
Sapo shkova në vendgjarje kërkova linjën për të raportuar ‘live’. Nisa të raportoj se një grup fëmijësh po digjte makinat private të parkuara rreth piramidës.
Nga TV ma ndërprenë lidhjen duke më këshilluar që të bëja kujdes në raportim pasi nuk ishin fëmijë ata që po digjnin makinat por militantë të PS. Për të provuar vërtetësinë e atyre që raportova regjistrova video me kameren time personale dhe raportova sërish rreth ecurisë së protestës nga shkallët e piramidës, diku pas kambanës së paqes.
Pas pak çastesh më thanë nga redaksia se duhet të shkoja tek porta e dy kullave binjake pasi kreu i opozitës, Edi Rama do të jepte konferencë për mediat. U afrova duke çarë turmën dhe të vetmit që pashë në vendin ku isha nisur, ishin një grup deputetësh të PS, ku spikaste Ilir Beqja, si më i gjati dhe ata dukeshin të shkujdesur. Pra të linte përshtypjen se Rama nuk ishte aty.
Në këtë kohë protesta u përshkallëzua, fuqishëm pasi protestuesit shkatërruan thuajse tërësisht policët specialë përpara ish-bar Mumies, edhe pse këta përdorën plumba gome.
Një grup protestuesish qëlluan me plaka mermeri nga lartësia e piramidës dhe sapo shpartalluan policët, turma dogji edhe dy apo tre furgonët e blinduar të policisë që ishin stacionuar tek pishat midis Kryeministrisë dhe Piramidës.
Kjo ishte pika e fundit mbrojtëse nga jashtë e kryeministrisë. Në këtë kohë kisha mbërritur tek platforma e gazetarëve para kryeministrisë.
Sipër në të kishte shumë qytetarë, rreth 20 që po bënin video me celular. U kërkova ndihmë dy personave të më ngjitnin lart pasi i kisha duart e zëna, në njërën celularin dhe aparatin fotografik dhe në tjetrën kartën e gazetarit dhe mikrofonin pa logo.
(Kishim urdhër për të mos vendosur logo identifikuese të kompanisë pasi pak orë më parë një makinë e Klan ishte djegur nga protestuesit për shkak të urrejtjes si proqevertarë).
U ngjita në platformë dhe ashtu me zor duke u përpjekur të qëndroja sipër kërkova linjën për raportim live. Nisa të raportoj, fillmisht për sulmin tek bar Mumia dhe më pas djegien e furgonëve të blinduar. Protestuesit në bulevard kishin nisur të tërhiqeshin. Po ktheheshin drejt urës së madhe. Në një moment shpërthyen krismat nga të gjitha anët.
Dikush qëllonte me kallashnikov lart dhe degët e pishave binin si borë. U hodhën shashka drejt protestuesëve dhe këta hodhën gurë. Një gardist i maskuar që gjendej tek porta hyrëse e bodrumit të kryeministrisë, u ngrit lart dhe nisi të qëllonte drejt nesh. Ishte i vetmi që qëllonte drejt nesh, ndërsa gjithë të tjerët lart.
Dikush tjetër na qëlloi nga sipër Kryeministrisë. Koha ishte gri dhe dallohej qartë flaka e armëve. Ndjeva një goditje në dorën që kisha telefonin duke folur. Nuk e kuptova çfarë ishte. Kthehem pak djathtas dhe pashë t’i shpërthente koka të ndjerit Hekuran Deda. Ndërkohë një breshëri plumbash që depërtoi midis kokave tona goditi trungun e pishës. Njerëzit nisën të hidheshin.
Dëgjova dikë që ulëriu: Na vranë na q. nënën! Unë vazhdoja raportimin dhe isha i fundit që u hodha përpara dhe duke u rrotulluar pas platformës kapërceva këmbët e fatkeqit Deda si dhe një kolegun tonë fotograf Franc Zhurda. Kur kisha mbërritur në mes të bulevardit ndërpreva lidhjen telefonike.
Mezi arrita të merrja mjekim aty pasi me kujtonin për protestues dhe grupet e ndihmës së shpejtë më shmangeshin dhe ofendonin. Pas më tepër se gjysmë ore mbërrita në studio.
Na trego pa humbur asnjë detaj çfarë ndodhi në Televizion?
Sapo më panë të gjakosur vendosën të më nxirrnin në studio. Teksa po bëheshim gati unë përsërita se ishte Garda e Republikës që më kishte qëlluar.
Më kërkuan të thoja se ishte turma që më kishte qëlluar. Unë nuk pranova dhe pas kësaj u anulua dhe dalja tek studio e lajmeve.
Kuptova se kisha humbur gjak dhe kisha nevojë të shkoja në spital por më komunikuan një urdhër të pronarit se asnjë mjet nuk do lejohej të dalë nga rrethimi i kompanisë.
Kolegia Sonila Meço, gjej rastin ta falënderoj me mirënjohje, më dha çelësat e makinës së bashkëshortit të saj dhe së bashku me një shofer dhe një kolege të sociales mbërrita në spital.
Kush të censuroi konkretisht?
Të gjitha komunikimet e mia kanë qenë me moderatorët në studio si dhe drejtuesit e informacionit në TV.
Pa përjashtim, nga të gjithë, kush më shumë e kush më pak më kërkuan të pranoja se isha qëlluar nga turma.
Edhe atë që nuk më thanë mendimin e tyre, thjesht aprovuan kërkesat e të tjerëve ndaj meje. Të gjithë më flisnin në emër të pronarit.
Çfarë ndodhi në spital? Ke folur për një mashtrim mjekësh…
Fillimisht në spital më trajtuan mirë. Kjo falë edhe koleges që foli me stafin mjekësor. Madje aq mirë më trajtuan fillmisht saqë vunë në dispozicionin tim një infermiere që të më lëvizte me karrocë nëpër pavione të ndryshme edhe pse unë lëvizja vetë pa problem dhe se kishte të tjerë më nevojtarë se unë.
Ato momente pati fluks të madh të ardhurish pasi ishin qytetarët që policia rrihte nëpër rrugë.
Pak më vonë erdhën në spital prokurorët që i njihja personalisht, dhe më thanë se u ishte dashur rreth dy orë të më gjenin pasi stafi mjekësor i gënjente për vendndodhjen time dhe ishte rastësi takimi im me ta në kohën që kishin humbur shpresat.
Iu shpjegova ngjarjen dhe iu bëra edhe një skicë. Pas kësaj nuk u kujdes më kush për mua. Në mëngjes kur dola nuk donin të më jepnin as fletëdalje.
Me urdhër të prokurorisë shkova tek Mjekësia Ligjore për ekspertizë. Isha me një mikun tim që punon në një institucion shumë të rëndësishëm. E prezantova si kushëri timin. Kreu i mjekësisë ligjore, më priti në zyrën e tij dhe më tha se nuk do më bënin ekspertizë pasi isha goditur nga turma.
I nxehur, mora në telefon prokurorin dhe i tregova. Ky më tha mbylle telefonin dhe eja në zyrën time dhe bëji kallëzim penal. Mjeku u tremb dhe urdhëroi një vartës të vet të më bënte ekspertizën.
Shkova në zyrën e tij. Më tha se nuk i punonte aparati fotografik. Nuk kishte as vizore për të matur plagët. Gjeti një vizore të shkatërruar tek një koleg tjetër, ndërsa fotot i bëra unë me aparatin tim dhe ia shkarkova në kompjuter. Pas kësaj ika dhe nuk e di nëse në dosje ka pasur apo jo një ekspertizë timen. Unë nuk e kam marrë kurrë atë.
Kur mbërrita këtu në Belgjikë dhe ndodhesha tek komisariati i refugjatëve e kisha të pamundur të jepja shenjat e gishtave për shkak të enjtjes.
Shpjegova (ashtu siç më kishin thënë mjekët në Tiranë) se plumbi ka hyrë dhe dalë pa pasoja. U tregova grafinë që kisha marrë më vete. Më panë të çuditur dhe më dërguan në një spital.
Aty mjeku duke parë këmbënguljen time naive, i bëri grafi panoramike dorës dhe më tha ta shihnim bashkë. Nuk kishte asnjë pozicion që të mos tregonte se ishin tre kocka të thyera. ‘Nuk e kupton që kjo nuk është e dorës tënde!’, më tha!.
Sot është e qartë që u qëllua. Madje pati seanca gjyqësore. A është bërë drejtësi për ty dhe për viktimat?
Të dy proceset për 21 janarin dolën bllof që pa nisur. Ashtu të cunguar dhe me prova ta manipuluara e treguan fundin e tyre që pa nisur. Por edhe sikur të përfundonin me dënimin maksimal të të pandehurve sërish ajo nuk do të ishte drejtësia. Drejtësia vihet nëse do të marrin dënimin e merituar ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha si urdhëruesit direkt të të gjithë krimeve të 21 janarit, duke filluar nga dhuna ndaj protestuesve, e deri tek vrasjet dhe plagosjet me armë.
Tani ti jeton azilant në Belgjikë. Çfarë ndien ti? A do të kishe një tjetër jetë po të mos ishe plagosur?
Sigurisht që nuk e kisha menduar asnjëherë të bëja zero gjithë investimin tim profesional aty në Tiranë dhe ta nisja nga zero në një vend tjetër. Do isha aty si pjesë e medias në Tiranë.
Fatos, tani je në distancë kohore me ngjarjen. E ke artikuluar shpeshherë se çfarë mendon për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Po për Edi Ramën që i nxori njerëzit në shesh a ke një mendim?
Nuk mund të krahasohen kurrë Berisha dhe Basha me Ramën. Mendimin më së miri për këta e dhanë vetë shqiptarët në qershor të 2013.
Në fakt, ‘21 janarin’, parë tani me gjakftohtësinë e kohës nuk ishte organizim i socialistëve por urrejtje e akumuluar ndaj qeverisë së atëhershme, çka arriti kulmin pas pamjeve filmike të bllokut të Ilir Metës.
Kështu që nuk mund të fajësohet Rama se rasti e solli të përputhej në të njëjtin moment kulmi i urrejtjes qytetare ndaj qeverisë dhe dëshira e tij për të marrë karrigen e kryeministrit.
A mendon se situata mund të kishte zgjidhje tjetër, kur garda po tregonte rezistencë e nisi të qëllonte, a mund të ishin tërhequr protestuesit nga organizatorët socialistë?
Në fakt kur nisi të qëllohej protestuesit kishin nisur të largoheshin. Kështu që u qëlluan pabesisht nga garda.
Rama ka premtuar drejtësi për ’21 janarin’. Çfarë mendon se e ka penguar Ramën të vërë drejtësi?
Jo. Drejtësia për këtë çështje deri tani është më pak se zero. D.m.th negative. Kemi një dosje të manipuluar, të paplotë dhe pa prova. Përgjegjësit për këtë janë akuza dhe gjykata. Të dy institucionet, si bishta të familjes Berisha, e kanë sjellë deri në këtë gjendje. Reformimi i sistemit të drejtësisë është zgjidhja për këtë çështje.
Çfarë mendon për dëmshpërblimin 300 mijë dollarë për familjarët e secilës viktimë dhe për ceremoninë e zakonshme çdo vit?
Ky shpërblim është i vogël dhe i vonuar. Duhet ta kishte dhënë qeveria që shkaktoi vrasjet. Ceremonia e çdo viti është më e pakta gjë që mund të bëjë qeveria për të lehtësuar sadopak dhimbjen e asaj dite./ SHUPLAKA
Po thuajo Fatos Thuaje. Kush ta kerkoi te thuash se te qelloi turma. Kush te pushoi nga puna. Kush nuk protestoi per ty. Kush te mbylli deren se nese hyje merzitej Berisha. Shkullak qelbesira, hajduti imoral. Ai televizion turpi, qelbesire, televizion qe eshte I ndotur me gjak. Fol Fatos Fol.
Une e kam perjetuar vete ate dite te zeze pas çdo demonstrate ka te humbur dhe fituar. Humben ata qe u vrane dhe fituan te tjere