Gazetari Artan Hoxha ka paralajmëruar sot një përplasje të fortë mes lobeve ekonomike dhe atyre të krimit këtë vit zgjedhor në Elbasan.
Hoxha tha në emisionin “Të paekspozuarit” se Vaterloja ka zbritur nga Lezha në Elbasan ku të gjitha partitë kanë bazat e tyre.
“Rreziku i këtyre zgjedhjeve është Elbasani. Do ketë një përplasje shumë të fortë. Edhe një nga partitë e koalicionit, partia çame ka bazë të fortë, PS po, LSI po dhe opozita nuk heq dorë. Përplasje e lobeve të forta ekonomike dhe të botës së krimit. Vaterloja ka zbritur nga Lezha në Elbasan. Biznesi i pari, paraja”, tha ai.
Gazetari Hoxha gjithashtu zbuloi detaje në lidhje me akuzat që deputetët e LSI-së, Tavo dhe Koka bënë ndaj drejtorëve të policisë së Gjirokastrës dhe Durrësit.
Hoxha tha se ato ditë policia e Gjirokastrës dhe Durrësit arrestuan 2 trafikantë droge të cilët më pas u lanë të lirë dhe se mund të përdoren si sponsorizues fushate.
“I pari ka dalë deputeti Vangjel Tavo dhe ka sulmuar drejtorin e policisë së Gjirokastrës si i lidhur me botën e narkotikëve, të nesërmen erdhi nga Lefter Koka drejtorin e policisë së Durrësit. Kjo u bë se policia e Gjirokastrës ka shoqëruar një person që ka qenë një nga trafikantët kryesorë të Lazaratit kur qeveriste PD, dhe dyshohet se do sponsorizojë fushatën e Gjirokastrës. E njëjta gjë ndodhi në Durrës, një trafikant në Hollandë. Policia i arrestoi për t’i thënë ne e dimë kush jeni ju dhe çfarë bëni, sot ata vazhdojnë jetën e tyre normalisht dhe uroj që të mos financojnë zgjedhjet”,- tha Hoxha.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar datën e zgjedhjeve.
Nishani ka dekretuar datën 18 qershor 2017, si ditën kur do mbahen zgjedhjet në Shqipëri.
Fushata elektorale në vend tashmë ka filluar edhe pse jo zyrtarisht. Kampet politike kanë filluar turet paralektorale duke pritur fillimin e fushatës e cila eshtë 45 dite përpara datës zyrtare të zgjedhjeve.
(M.D/ Shuplaka)