Dje televizionet kanë trajtuar çështjen e kriminalizimit të vendit, të nxitur nga deklarata e fortë e ambasadorit amerikan Donald Lu.
Në Shqipëri sipas ambasadorit veprojnë 4 klane dhe 20 familje kriminale.
Por gazetari Julian Kasapi, teksa komentonte çështjen te ”Dritare” në Vizion Plus tha se 4 klanet nuk ndodhen në Shqipëri, por jashtë vendit dhe kapitalin e tyre e investojnë në vend.
“Duhet të dimë si veprojnë bandat kriminale. Baza e tyre është droga, heroina. Pse shumica e lëndëve kriminale shkojnë jashtë? Sepse shqiptarët kanë lidhje me diasporën.
Nëse flasim për 4 klanet, ato nuk ndodhen këtu, por ndodhen jashtë. Të gjitha këto para shkojnë jashtë. Këto para shkojnë në vendet evropiane, merret kapitali dhe vihet e investohet në Shqipëri.
Mafiozët kanë qejf të kenë një vilë në Vlorë. Operacioni “Vjeshtë 2017”, është për t’u përshëndetur, pasi të gjithë këto para janë investuar në pasuri të patundshme”, theksoi Kasapi por nuk dha të tjera detaje se në çfarë vendesh.
Ditën e djeshme një tjetër gazetare, Anduena Llabani tha në ”Opinion” në TV Klan se kemi shumë gjyqtarë që financohen nga 4 klanet. Donald Lu përmendi dje emrat e Emiljano Shullazit, Klement Balilit dhe Lulzim Berisha. (V.G/SHUPLAKA)