Kjo e hënë nisi vrullshëm në aspektin politik, pasi Presidenti Ilir Meta doli përpara Komisionit Hetimor, të ngritur për shkarkimin e tij. Përpara komisionit parlamentar që po heton aktet e tij mbi zgjedhjet vendore, presidenti Meta përmendi precedentin e Bullgarisë në Gjykatën e Strasburgut.
Veç argumenteve ligjorë, tha se kishte ndikuar në vendimmarrjen e tij për shfuqizimin e 30 Qershorit si data e zgjedhjeve lokale, ishte edhe një informacion sekret, që kishte marrë në rrugë zyrtare se protesta e opozitës e 8 Qershorit, do të shfrytëzohej nga elementë të caktuar, për të djegur selinë e Parlamentit të Shqipërisë.
Për analistët politikë e gjithë ecuria se si eci seanca në Komisionin Hetimor, tregon se mes qeverisë dhe Presidencë ka një “ulje të armëve”.
Gazetari Robert Rakipllari këtë të hënë në emisionin Opinion, tha se tani palët kanë bërë llogari të reja.
“Nuk jemi në situatën ku secila palë kërcënonte. Unë besoj që situata ka ndryshuar që kur mazhoranca ka kërkoi mendimin e komisionit të Venecias për shkakrimin e Metës. Në atë komision një pjesë e opozitës së re ishin jashtë loje, nuk e dinin pse kishin ardhur. Pjesa tjetër me deputet e mazhorancës ishte përballje ligjore dhe etike”, tha Rakipllari.
Pas seancës presidenti Meta qëndroi për pak kohë tek zyra e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në Kuvend pak më parë kishte qenë dhe kryeministri, por sipas burimeve mes Metës dhe Ramës nuk ka pas asnjë shtrëngim dore.
Por gazetari Rakipllari shkoi dhe më tej teksa tha në emision se kryeministri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ka thënë “që duhet të bëhemi për zgjedhje sa më shpejt”./ Opinion.al