Pas nëntë muajsh qëndrimi në burg ku u mbajt padrejtësisht, gazetarja amerikano-ruse Alsu Kurmasheva po i përshtatet jetës në liri me familjen e saj në Pragë. Këto ditë, gjatë qëndrimit në Uashington, ku u nderua me një shpërblim, ajo i tha korrespondentit të Zërit të Amerikës Liam Scott se shqetësimi i saj tani është fati i të burgosurve të tjerë politik.
Ky është momenti që Alsu Kurmasheva e kishte ëndërruar me muaj. Një ribashkim plot emocione me familjen e saj në bazën ushtarake amerikane ‘Joint Base Andrews’ në të dalë të Uashingtonit, pasi u mbajt padrejtësisht për 9 muaj në një burg në Rusi.
“U prita nga Presidenti dhe Nënpresidentja dhe ishte një nderë i veçantë për mua. Por e vetmja gjë që shihja në ato momente ishin vajzat e mia”, thotë zonja Kurmasheva.
Gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë, një media simotër e Zërit të Amerikës, me seli në Pragë, zonja Kurmasheva u shpall fajtore dhe u dënua në një gjyq të fshehtë, me akuzat se po shpërndante informacion të rremë mbi ushtrinë ruse.
“Më mbajtën në burg për 288 ditë dhe çdo minutë e kaluar aty ishte vuajtje. Turpërim. Të burgosurit në Rusi dhe në Bjellorusi nuk kanë asnjë të drejtë”, thotë ajo.
E liruar si pjesë e këmbimit historik të të burgosurve më 1 gusht, gazetarja Kurmasheva udhëtoi fillimisht drejt bazës ushtarake në Teksas dhe pastaj shkoi në shtëpinë e saj në Pragë për të marrë veten.
“Tani e tutje dua të shijoj jetën,” shtoi ajo.
Kthimi në banesën e familjes së saj në Pragë, ishte plot emocione, thotë ajo.
“Qava. Qava për herë të parë pas shumë ditësh. E dija se do të qaja, sepse do të thotë shumë për mua. Ishin lotë gëzimi. Ende nuk po ngopem së përqafuari fëmijët e mi”, thotë zonja Kurmasheva.
Rasti i gazetares Kurmasheva është pjesë e një goditje më të gjerë të Moskës ndaj mediave të pavarura. Ajo ishte njëra nga dy gazetarët amerikanë që Shtetet e Bashkuara thonë se janë të burgosur padrejtësisht nga Rusia.
Ashtu si gazetarja Kurmasheva, gazetari i të përditshmes ‘Wall Street Journal’, Evan Gershkovich u arrestua dhe u shpall fajtor në një gjyq të inskenuar para se të lirohej si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve.
Paul Beckett, i cili udhëhoqi fushatën e gazetës për të siguruar lirimin e gazetarit Gershkovich, e priti me shumë emocione lajmin për lirimin e tij.
“Lot e të qeshura gëzimi – ishte e vështirë ta besoja. Mendoj që ende e kam pak të vështirë që ta besoj plotësisht, por ishte një moment kur m’u hoq një barrë e madhe dhe më është dukur që tërë ato përpjekje u shpërblyen”, thotë ai.
Gazetari Gershkovich është mirë përkundër faktit që kaloi rreth 500 ditë në burg, thotë zoti Beckett.
“Është gjë e madhe ta fillosh jetën – apo ta rifillosh. Jemi përqëndruar në këtë pikë. Mendoj se po shfrytëzon kohën për të pushuar dhe për të qëndruar sërish në këmbët e veta”, thotë ai.
Rasti i gazetarëve Gershkovich dhe Kurmasheva nënvizon goditjen e ashpër të qeverisë ruse ndaj gazetarisë së pavarur.
“Gazetarët janë të frikësuar që të kërkojnë burime të pavarura informacioni sepse ato janë ndaluar ose janë shpallur të jashtëligjshme në Rusi. E tërë shoqëria dhe mediat gjithashtu janë në një gjendje mbijetese”, thotë ajo
Tani që është bashkuar me familjen e saj, gazetarja Kurmasheva thotë se dëshiron ta përqëndrojë vëmendjen tek të burgosurit e tjerë politikë që ende po mbahen të burgosur, përfshirë tre kolegët e saj të Radios Evropa e Lirë./VOA