Një nga mbështetësit kryesor të protestës së thirrur në mediet sociale, Genc Sejko në një prononcim për Fax News tha se nuk ka gjë më të turpshme se të rrethosh fëmijët dhe tu hedhësh gaz lotsjellës.
Sejko shtoi se kjo tregon se policia nuk ka marrë asnjë mësim, duke theksuar se ai do të vazhdojë që të jetë mbështetës i të rinjve që protestojnë.
“Tregon se nuk është nxjerrë asnjë mësim. Nuk proteston Genci po mbështes ato që protestojnë. Nuk ka gjë më të turpshme që të rrethosh fëmijët. Është e njëjta polici e inkriminuar. Unë do të vazhdoj që ti mbështes.”- tha Sejko.
Kujtojmë se sapo nisën incidentet e para të protestuesve, të cilët kanë qenë duke ju drejtuar Drejtorisë së Policisë në Tiranës, efektivët kanë reaguar duke shpërndarë turmën.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës, dhe ka nisur shoqërimin e protestuesve të cilët tashme nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë një mjegull tymi ka mbuluar rrugët e kryeqytetit.
Siç raportohet nga gazetarët në terren, institucioni i kryeministrisë është blinduar nga forca të shumta të policisë së Rendit dhe Shqiponja.
Sot ka nisur protesta e katërt për vrasjen e Klodian Rashës, pasi pas largimit të ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, kërkohet edhe largimi i drejtorit të Përgjithshëm të policisë së Shtetit.