Përfaqsues të Bankës së Shqipërisë kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me Bordin Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Takimi u organizua me nismën dhe nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ndërsa në fokus të takimit ishte diskutimi mbi sigurinë e zhvillimit të bankave në Shqipëri.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, për çështje të lidhura veçanërisht me sigurinë e zhvillimit të aktivitetit bankar, nisur edhe nga ngjarjet e ndodhura së fundmi gjatë transportimit të vlerave monetare, si dhe për të diskutuar mbi aktivitetin financiar, kreditues dhe operacional të sistemit bankar, shkruan një portal online.
Të pranishëm ishin gjithashtu Zëvëndësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë zj. Natasha Ahmetaj dhe drejtues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit Drejtues të SHSHB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, z. Periklis Drougkas, anëtarët e tjerë të këtij Bordi, si dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i SHSHB-së.
Në fillim të takimit, nga të gjithë pranishmit u përgëzua zbardhja e autorëve të grabitjes së vlerave monetare të bankave dhe puna intensive e kryer nga Policia e Shtetit në këtë drejtim. Më tej, u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis bankave dhe institucioneve përkatëse për rishikimin e masave të sigurisë në aktivitetin bankar dhe transportimin e vlerave monetare me qëllim plotësimin dhe përmirësimin të tyre, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale të shëndetshme, me synim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal edhe në çështjen e trajtimit të kredive me probleme, duke vlerësuar se efektet e ndryshimeve ligjore, përvoja e fituar nga bankat, nxjerrja e kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave dhe ristrukturimi i kredive me probleme, do të nxisnin një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të tyre gjatë vitit 2017.
Gjithashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua edukimit financiar për ndërgjegjësimin e publikut, si dhe ruajtjes së imazhit të sistemit bankar, duke theksuar ndikimin e bankave si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë e vendit.
Në përfundim, Shoqata Shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe frytdhënës. Shoqata siguroi se do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim maksimal me Bankën e Shqipërisë dhe me autoritetet qendrore dhe vendore për një sektor bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit. (J.V/Shuplaka)
Discussion about this post