Ish-prokurori Gentian Trenova ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka folur lidhur me ekzekutimin e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga punonjës të Policisë së Shtetit, ngjarje kjo e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Laprakës në Tiranë.
Tërnova u shpreh se kjo ngjarje vjen pas klimës së përgjithshme në vendin tonë, ku Policia ka zgjeruar kompetencat edhe në çështje që nuk i takojnë, dhe sa kohë që sistemi gjyqësor është ende pa u konsoliduar, askush nuk e kontrollon punën e Policisë.
“Kemi të bëjmë me një shtet policor ku çdo gjë funksionon në logjikën e një polici, se kush duhet arrestuar dhe kush duhet liruar. Persona të krimit të organizuar janë shumë të qetë në punën e tyre, që vjen dhe si pasojë e një sistemi gjyqsor që është i tulatur. Duke qenë se sistemi gjyqësor është i tulatur, Policinë nuk ka se kush e kontrollon.
Ka shumë të ngjarë që rasti i sotëm, që të jetë një abuzim nga ana e Policisë, që vjen dhe nga një frymë jo e drejtë me të cilën efektivët ushqehen nga eprorët e tyre. Ky është problemi i Policisë sot, për rastin në fjalë nuk mund të them shumë nëse efektivi do të dënohet dhe sa do të dënohet.
Jemi nga situata e vëtëmbrojtjes, ose tejkalim i vetëmbrojtjes, dhe deri te vrasja që nuk mund të jetë me dashje, por që ka ndodhur. Mund të jetë dhe një abuzim dhe një teprim nga ana e punonjësit të Policisë. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, dua të sqaroj dhe frymën e shtetit policor, që nis me rrahjet dhe shoqërimet e qytetarëve të thjeshtë.
Në shumë raste punonjësit e Policisisë çojnë njerëzit në gjykatë pa pasur prova. Punonjësi i Policisë ka të drejtë që të përdorë armën, por ka një rregullore të qartë sesi ajo përdoret. Rrethanat që ka ndodhur ngjarja janë të paqarta dhe të dyshimta“, u shpreh Trenova.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post