Ish-prokurori Gentian Trenova ka folur në lidhje me Luan Dacin, i cili është shkarkuar nga detyra pasi është dënuar me 12 muaj shërbim prove për ‘falsifikim dokumentesh’. Daci ka fshehur të kaluarën e tij duke gënjyer për një shkarkim nga detyra si i paaftë në vitin 1997, të cilin nuk e tregoi në momentin që kaloi Vetingun. Por zgjedhja e tij në KPA, sipas Trenovës, është bërë për shkak të nxitjes së politikës që të ngriheshin institucionet.
Në intervistën për Fax News, Trenova thotë se Daci e cënonte Reformën në drejtësi, por gjithsesi vendosën që ta bëjnë anëtar të KPA duke dalë në kundërshtim me ligjin. Trenova shtoi se kjo situatë po ndodh edhe me Gjykatën Kushtetuese pasi ndërkombëtarët kanë vënë ultimatum që të ngrihet deri në fund të vitit.
Sa i përket rastit të tij, ish prokurori thekson se do të ketë vendimmarrje nga Gjykata Ndërkombëtare.
“Luan Daci është zgjedhur në KPA në kundërshtim me ligjin, jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë që janë sot anëtarë të Komisioneve të Vetingut. Kjo për shkak se pati një nxitim nga politika dhe diplomatët që këto institucione të ngriheshin. Shumë persona kanë penetruar në bazë të mbështetjes që ata kanë pasur, shërbejnë edhe si mjet presioni ndaj subjekteve të Vetingut.
Rasti i Luan Dacit është rasti më tipik, që e cënon edhe juridikisht Reformën në Drejtësi, të gjitha vendimet që janë marrë, ku pjesë ka qenë dhe Luan Daci janë të paligjshme dhe të cënueshme, është njësoj si të marrim një kasap apo berber, që ta bëjnë anëtar të KPA-së.
Kjo i tregon opinionit publik që Daci është emëruar në kundërshtim të ligjit, edhe në rast se nuk do të kishte ndjekje penale nga Gjykata e Posaçme, ai nuk i plotëson kushtet për të qenë gjyqtar në KPA. E njëjta gjë po ndodh edhe me Gjykatën Kushtetuese, ku janë emëruar gjyqtar në shkelje të procedurave, kjo mund të përdoret nesër pasnesër nga qytetarë të ndryshëm, duke e çuar çështjen në Strasburg. Nëse një trup gjykues ka një anëtar që është në shkelje të ligjit, atëherë të gjitha vendimet që ata kanë dhënë mund të jenë të cënueshme.
Sigurisht që edhe në rastin tim, mund të ketë një vendimmarrje nga Strasburgu, pothuajse të gjithë personat që janë shkarkuar nga KPA e kanë çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare, janë rreth 40 dosje që janë dërguar atje”, tha Trenova.
(E.K/A.M/ Faxweb.al)
Discussion about this post