Një ngjarje e rëndë tronditi këtë pasdite Gjirokastrën ndërsa u gjet i pajetë brenda mjetit të tij, në në aksin rrugor rural Polican-Suhë një 57-vjeçar për të cilin Faxweb.al mëson se quhet Gezim Saraci.
Gjithashtu të njëjtat burime konfirmojnë se është identifikuar edhe autori i vrasjes së Saracit i cili është shpallur në kërkim, ndërsa mendohet paraprakisht se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit brenda mjetit ku autori ishte pasagjer.
Sipas bluve të Gjirokastrës, është konstatuar se në trupin e viktimës ka shenja dhunë dhe dyshohet të jetë goditur me sende të forta. Ndërkohë janë ngritur në gjithë zonën pika kontrolli për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar që mund të kenë marrë pjesë në krimin e rëndë.
“Në aksin rrugor rural Polican-Suhë, shtetasi G. S., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, në rrethana ende të paqarta është gjetur i pajetë në mjetin e tij tip kamionçinë.
Nga këqyrja paraprake dyshohet se është goditur me sende të forta. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia.
(F.GJ/FAXWEB.AL)