De Biazi po planifikon të ardhmen larg Shqipërisë.
“Për momentin jam mirë në Shqipëri, edhe për faktin se kam arritur të transmetoj një mesazh. Nuk jam këtu për paratë por për të krijuar një mentalitet ndryshe, pasi unë mendoj se me të vërtetë mund të fitojmë. Dhe kjo është thelbësore. Nuk e mohoj që do të më pëlqente të drejtoja në Spanjë apo Angli, ose ndoshta të drejtoja një Kombëtare tjetër. Por më parë, sigurisht që është kjo aventurë. Unë nuk kam njerëz me cilësinë e Italisë, por çdokush hedh në fushë armët e veta. Pavarësisht cilësisë së italianëve do të bëjmë një ndeshje të bukur”, premtoi De Biazi në një intervistë të dhënë për “La Tribuna di Treviso”.
Pikërisht ndeshja ndaj Italisë është ajo që për të cilën tekniku i kuqezinjve po përgatitet me mjaft kujdes gjatë këtyre ditëve. Ai është i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj të kaltërve në një duel të cilin e sheh si vendimtar për fatet e të dy skuadrave.
“A po i përgatit një rreng Venturës? Nuk është e lehtë. Sigurisht që e njoh mirë Italinë, nuk është hera e parë që vihem përballë saj. Jam ndeshur me të në miqësore në nëntorin e vitit 2014, kur ishte trajner Antonio Konte.
Por është e qartë se këtë radhë është ndeshje më e rëndësishme, pasi janë në lojë pikët. Dhe për ne është thuajse vendimtare. Që kur u hodh shorti ishim të ndërgjegjshëm që do të ishte shumë e vështirë. Vetëm një skuadër që kualifikohej dhe duheshin shumë pikë për të arritur të dytët. Me Spanjën dhe Italinë në grup e kishim të qartë që do të ishte një arritje shumë e vështirë”, theksoi De Biazi.
De Biazi foli edhe për futbollistët shqiptarë në kampionatin italian, të cilët sipas tij po paraqiteshin në mënyrë pozitive. “Të gjithë po e bëjnë një gjë të tillë. Më i miri ndoshta është Berisha, i cili ka fituar vendin e titullarit te Atalanta dhe e dimë se çfarë kampionati po bën kjo skuadër. Por ndoshta është edhe sezoni i konfirmimit të Hysajt, eksperienca ndërkombëtare është thelbësore për formimin e një futbollisti”, u shpreh trajneri i përfaqësueses shqiptare. (M.D/ Shuplaka)