Pas 11 ditësh nga vrasja gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, 35-vjeçari grek Kostantinos Katsifas, është përcjellë sot për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore morën pjesë mijëra qytetarë gregë të ardhur nga Greqia, si dhe minoritarë të shumtë në Shqipëri.
Ceremonia mortore është shoqëruar me thirrje raciste ekstremista anti shqiptare, gjë që ka bërë që të reagojnë shumë qytetarë shqiptarë dhe jo vetëm, të cilët kanë kërkuar që autoritetet shqiptare të mbajnë qëndrim.
Nëpërmjet një njoftimi Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dënuar sjelljen dhe gjuhën e urrejtjes të disa personave që sipas KShH kanë shfrytëzuar ceremoninë mortore Kacifas, duke e kthyer atë në një ngjarje të tensionuar.
DEKLARATË E PLOTË:
Tiranë, më 8 Nëntor 2018
NJOFTIM PËR SHTYP
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), misioni i të cilit ka qenë dhe mbetet respektimi i lirive dhe të drejtave të shtetasve, përfshirë këtu edhe ato të pakicave kombëtare, shpreh indinjatën e tij të thellë dhe dënon me forcë atë që ndodhi sot në Bularat.
Një grup personash të ardhur nga Greqia shfrytëzuan ceremoninë mortore të shtetasit Kostandin Kacifa, duke e kthyer atë në një ngjarje të tensionuar, ku u shpreh qartazi gjuha e urrejtjes ndaj popullit shqiptar nëpërmjet parullave nacionaliste, ksenofobisë dhe ekstremizmit që nxit dhunën dhe përçarjen, veprime këto të dënueshme edhe ligjërisht. Shfaqje të tilla që i përkasin të kaluarës së largët nuk kanë asgjë të përbashkët me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis popullit shqiptar dhe atij grek, si dhe me standardet europiane, për të jetuar në paqe, demokraci dhe stabilitet.
KShH i sugjeron Monitoruesit Grek të Helsinkit që të reagojë ndaj fenomeneve të tilla, edhe për faktin se ato kanë qenë të pranishme para disa ditëve në protestën e mbajtur në qendër të Athinës.
KShH do të vazhdojë edhe në të ardhmen të japë kontributin e tij modest për forcimin e marrëdhënies miqësore midis popullit tonë dhe atij grek kundër çdo forme të ksenofobisë dhe ekstremizmit, që synon të helmojë atmosferën e shëndoshë për integrimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Europian.
(B.B/ Faxweb.al)