Ka shkuar në katër numri i personave të vënë në pranga nga policia e Tiranës për vrasjen e Hekuran Billës e cila ndodhi pak javë më parë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Faxweb mëson se në pranga është vënë Gjekson Pusi, 34 vjeç nga Shkodra i cili d se drejtoi makinën me të cilën u krye atentati.
Gjekson Pusi është arrestuar ditën e sotme pasi dyshohet edhe për ngjarjen e djeshme në Shkodër, ku u qëllua me armë në drejtim të kushëririt të deputetit të PS-së Luan Harushës, Fatjon Harusha.
Policia bën me dije se Pusi ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi“, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i policisë: Si rezultat i veprimeve intensive hetimore që po kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B, një tjetër person ka rënë në prangat e Policisë.
Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe DVP Tiranë është vënë në pranga drejtuesi i mjetit që transportonte shtetasin V. M., i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së shtetasit H. B.
Vihet në pranga shtetasi GJ. P., 33 vjeç, i cili u kap dhe u arrestua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pasi dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur në fshatin Vukatanë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit në pronësi të DPSHTRR, që drejtohej nga shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër.
Shtetasi Gj. P. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi“, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu, gjatë paradites së sotme, falë veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë ka rezultuar se ky shtetas është i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit H. B.