Dy trupa të pajetë janë gjetur mbrëmjen e së martës në Prizren, të cilët dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.
Sipas informacioneve të para, bëhet e ditur se dy viktimat kanë lidhje familjare, janë babë e bijë. Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.
“Bëhet fjalë për dy viktima, në një shtëpi, dyshohet se janë të vrarë nga arma e zjarrit, dyshohet se njëri nga viktimat është zyrtarë policor. Po ashtu dyshohet se viktimat kanë lidhje familjare, janë babë e bijë. Për më tepër se çfarë ka ndodhur në nuk kemi informacione. Prokurori i rastit së bashku me Policinë e Kosovës dhe njësitë tjera relevante janë dalur në vendin e ngjarjes për ta konstatuar dhe zbardhur rastin”, tha Shala.
Ndryshe, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bali Kelani ka dhënë detaje në lidhje me rastin në Prizren. Ai ka konfirmuar se njëra viktimë është zyrtarë policor.
“Me 15.12.2020, pak pas orës 19:00, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Durmish Asllani” në Prizren, janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Njësitet kompetente policore, menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe bazuar në informacionet e para, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pa jetë, një M/Kosovar zyrtar policor dhe një F/Kosovare, vdekjen e të cilëve e kanë konfirmuar mjekët kompetent. Në vendin e ngjarjes janë dalur të gjitha njësitet policore përfshirë forenzikën, ekipet mjekësore dhe prokurorin, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes si dhe duke kryer hetime intensive, lidhur me rastin”, tha Kelani.