Një i dënuar është gjetur i pajetë në burgun e Peqinit, bëjnë me dije burime konfidenciale për Fax News.
Bëhet fjalë për Andon Mëhillajn, i cili ka marrë një dënim me burg përjetë nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Andon Mëhillaj ishte anëtar i grupit të Julian Sinanajt, i dënuar si vrasës me pagesë, pasi ishte vetëdorëzuar në polici në vitin 2014.
Derimë tani nuk ka detaje se çfarë e ka shkatuar vdekjen e Mëhillajt, ndërkohë që ngjarja ende nuk është bërë publike nga institucioni i vuajtjes së dënimit. Së fundi në burgun e Peqinit është ndërruar dhe drejtuesi, ç’ka shton edhe më shumë mungesën e informacioneve.
Mëhillaj, sot 44 vjeç në momentin e dëshmisë në prokurori në vitin 2014, kur dhe u arrestua, ka dhënë dëshmi të kundërta me Sinanajn dhe anëtarët e tjerë të bandës, që quheshin ndryshe dhe grupi i Tritolit.
Mëhillaj dhe disa të afërm të tij dyshoheshin se kishin qenë porositësit e të gjithë krimeve të pranuara nga Julian Sinanaj, veç atentatit me tritol ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.
“Do të isha vetëdorëzuar më parë, por doja që më parë të siguroja familjen time, bashkëshorten dhe dy fëmijët, pesë dhe një vjeç e gjysmë. Nuk mund të lija familjen rrugëve dhe nën kërcënime të mundshme, për shkak të akuzave që janë ngritur me pa të drejtë ndaj meje, si nga Sinanaj, ashtu edhe nga grupi hetimor.
Gjithashtu, shumë gjëra mendoj se më pas janë fryrë edhe nga mediat. Tashmë që sigurova familjen, jam i qetë dhe i gatshëm t’i dorëzohem dhe përgjigjem prokurorisë për të hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj meje me pa të drejtë, duke vënë në rrezik jetën time dhe të familjes time”, deklaronte Mëhillaj në momentet e vetëdorëzimit në Polici, ndërsa rrëfente dhe njohjen me Sinanajn.
“Me Sinanaj kam pasur mosmarrëveshje për disa gjëra, madje isha kërcënuar prej tij, por kishim një kohë të gjatë që nuk flisnim dhe nuk e di se cili ka qenë shkaku që ai më implikon me këto akuza të pabaza”.
(E.K/Faxweb.al)