Policia pretendon se ka gjetur një tjetër gjurmë nga Jan Prenga, i cili u rrëmbye në 17 Janar në zonën e Kamzës, dhe dyshohet se u dërgua i vdekur në kompleksin Golden në Shijak.
Rreth 1 kilometër nga ky objekt në një zonë pylli policia ka gjetur një qese plastike të gjakosur, që dyshohet se është përdorur për transportin e trupit të Prengës.
Ky plasmas është gjetur në datën 31 janar dhe menjëherë mostrat e gjakut janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për ekzaminim nëse i përkasin viktimës.
Policia është duke kërkuar ende për trupin e Prengës, jo vetëm pranë kompleksit Golden, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Kur po bëhet një muaj nga ngjarja, policia ende nuk ka gjetur trupin e 49-vjeçarit Jan Prenga ndërsa për këtë ngjarje deri tani janë arrestuar shtetasit Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri dhe është vetëdorëzuar Ardian Doçi si dhe janë shpallur në kërkim nëntë të tjerë.
Dyshohet se shkak i pengmarrjes ishin disa llogari të hapura të vëllezërve të Prengës për trafikimin e një sasie kokaine në Angli.
Ditën e djeshme grupi i hetimit publikoi edhe disa fotografi të hyrje-daljeve të autorëve në kompleksin Golden në Shijak, ku duket momenti i transferimit të trupit nga një mjet Range Rover në një furgon me të cilin dyshohet se është zhdukur kufoma.
Discussion about this post