Një ditë pas arrestimit të pesë personave lidhur me grabitjen e 3.2 milionë dollarëve më 9 shkurt në Qafë-Kashar, mësohet se po vijon aksioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe gjetjen e parave të grabitura.
Bëhet e ditur se policia ka ushtruar kontrolle në qytete të ndryshme të vendit, në Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë, Tepelenë dhe Vlorë.
Gjatë natës raportohet që të jetë gjetur dhe një pjesë e shumës së parave të grabitura. Janë shpallur në kërkim dy persona të identifikuar si Admir Ç. dhe Admir Murataj. Bëhet e ditur se Admir Murataj, banues në Fushë Prezë, është një i arratisur nga burgu grek në 2013-ën. Ai akuzohet për grabitjen e një banke në Larisa të Greqisë.
Një ditë më parë, pesë persona u vunë në prangat e policisë për grabitjen në Rinas, të identifikuar si: Ditjon Memlika, Neim Avdulaj, Fation Xhyliu, Ernest Kupa, Admir Murataj. Pas arrestimit të të dyshuarve, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndër të tjera u shpreh: “Kemi mundur t’i vërtetojmë shqiptarëve që kemi arritur të bëjmë atë që është e drejtë për të gjithë. Kisha të drejtë kur ju thoja të prisnit, por ju s’më dëgjuat. Fjala ime doli.” (XH.A/SHUPLAKA)