Lajmi për sëmundjen e gjeniut të letrave shqipe, Fatos Kongoli duket se mërziti së tepërmi njohësit e veprës dhe të kontributeve të tij. Mirëpo, duket se Kongoli nuk u dorëzua përballë sëmundjes malinje, e cila frikshëm i rrezikoi jetën, ndërsa tanimë e ka marrë veten dhe po vijon veprimtarinë e tij përmes shkrimit të librave.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe autorja e disa prej programeve televizive me të suksesshme shqiptare si “Dancing with the Stars 4” dhe “The Voice”, Zefina Hasani e cila në një shkrim në rrjetet sociale është shprehur se shkrimtari është më mirë nga ana shëndetësore.
Postimi i Zefina Hasanit:
“Lajmi i para pak kohëve për sëmundjen që i rrezikoi frikshëm jetën, duhet të ketë hutuar e mërzitur pothuajse çdo lexues e njohës të librave të tij. Kërcënimi i dukshëm më gërrici edhe mua, si njërën prej adhurueseve, jo vetëm të librave por edhe të personalitetit të tij, si shkrimtar e si burrë i mençur, me një qetësi, modesti e fisnikëri që të mrekullon, në qofsh edhe për një sekondë të vetme përballë tij.
Ndaj, ikja e një Fatos Kongoli të tillë s’do të ishte thjesht një ikje, siç ai vetë kish nisur ta përtypte duke u pajtuar, ndër ato stërmundime, qetësisht, me fatin e duke pritur t’i hapej ajo, Porta e Shën Pjetrit.
Por ja që fati kish qenë i shkruar ndryshe. Që ajo portë të mos i hapej, që ai të rikthehej, të shërohej aq sa të mund të ulej sërish për të shkruar, aq sa të mund ta mbaronte librin e tij të ri. Aq sa të mund të ecë, të takojë miq të vjetër e të rinj, të pranojë të intervistohet e të ulet në kolltukun e një rrëfimi të gjatë e krejt të sinqertë në “Agora”, në të mërkurat e librit në teatër, tek “Kujtim Spahivogli”, që gazetarja Arta Marku po organizon prej javësh, duke na thirrur në atë për të cilën kemi gjithmonë nevojë e për ku shpesh e humbasim udhën: për librin dhe diskutimin mbi të, për shkrimtarin dhe takimin e afërt me të.
E këtë herë një lloj takimi i tillë m’u duk fat i madh, shumë i madh, i zbritur nga qielli. Po aq sa m’u duk magjik rrëfimi i tij për puqjen e të ndërgjegjshmes me të pandërgjegjshmen brenda trupit e mendjes së tij, deri në atë pikë sa nuk kuptonte dot në ishte më apo jo në këtë jetë; për kthimin e stërmundimshëm në procesin e të shkruarit të librit të ri, “Gënjeshtarë të vegjël”, të cilin e kish nisur kohë më parë se të sëmurej e tek i cili do të gjente shpëtimin e dytë, atë të krijuesit; për ankthin që nuk e ka më si dikur pas përfundimit të një libri, sepse çfardo që mund të shijojë tashmë qar e ka; për herën e parë të të shkruarit nga fillimi në fund të një libri jo më në letër apo në makinë shkrimi por direkt e në laptop (pra teknologjia, siç e pranoi, ia kishte ndryshuar krejt procesin, por dhe lehtësuar jashtëzakonisht shumë).
S’kish ankesa, as mërzi në atë rrëfim. Përkundrazi, ndjehej qetësia e fisnikëria e atij burri të mençur dhe mjeshtëria e gjuhës së atij shkrimtari, që s’duhej ta kishim humbur. Fati na e solli mbrapsht, që ta dëgjojmë tashmë të na flasë bukur edhe për pragvdekjen.”