Nga Sokol Shameti
Eshtë folur dhe shkruar shumë për mungesën e demokracisë së brendshme të partive si parathënie e keqqeverisjes që ato zbatojnë kur marrin pushtetin. Ndërkohë kemi arritur në një pikë kur ato jo thjesht s’marrin më as mundimin ta fshehin këtë deformim, por luftojnë edhe ta imponojnë si modeli i vetëm sesi duhet funksionuar universalisht. Ato po mundohen ta stabilizojnë një anomali si normalitet dhe kjo është alarmuese.
Partitë politike në Shqipëri si laboratorë që përpunojnë mendim kolektiv e kanë mbyllur ciklin e tyre. Dekadencën e thellë ku ato kanë rënë, mund ta shohim tek ngjarjet e ditëve të fundit. Në shkallë të ndryshme, liderët e forcave politike janë angazhuar në vendimmarrje të rëndësishme të cilat ata i kanë mbajtur ekskluzivisht personale.
Situata është më flagrante në rastin e PS-së. Kryetari i saj ka kryer negociata dhe marrëveshje me opozitën pa pyetur askënd në partinë që drejton. Por vallë, nuk ka opinione të ndryshme në atë parti? Nëse po – siç duhet të jetë – si reflektohen ato në vendimmarrje? Nëse jo – a nuk është kjo një sirenë alarmi? Ç’është ky totalitet uniform i trupëzuar tek figura e vetësigurt dhe e vetëkënaqur e një ofiqari të vetëm siç është kryetari i partisë?
Gjithashtu, i njëjti kryetar ka përpiluar lista deputetësh edhe ato në konspiracion të plotë dhe të bazuar vetëm në perceptime dhe interesa personale. Edi Rama i ka dhënë kësisoj vetes, atributet e një timonieri që udhëheq me instikt një anije pa marrë askënd dhe asgjë në konsideratë, i kyçur në kabinën e vet ku nuk lejon të hyjë askush.
Si rrjedhojë, ajo që kuptojmë se ndodh në këtë parti që thotë se përfaqëson të majtën, është se ajo nuk është fare parti. Ajo është thjesht një grup fansash të shtrënguar grusht rreth një personazhi veprimet e paparashikueshme të cilit ata i përjetojnë si një fatalitet i pandryshueshëm.
Fjala e tij nuk diskutohet por vetëm adhurohet. Vendimet e tij nuk negociohen por vetëm zbatohen. Në rastin më të mirë vullneti i tij shijohet. Në atë më të keq, pësohet dhe vuhet. Kjo shkallë e frikshme personalizimi madje, deri deri edhe simpatizohet prej grupit sektar në fjalë i cili e ka lidhur vazhdimësinë, mbijetesën dhe parazitizmin e vet, mbi idolatrinë tek ky Zot që ata ndjekin verbtaz.
Shikojeni si acarohet dhe merr menjëherë pozicion agresiv mbrojtës “Perëndia”, në momentin kur mediat apo të tjerë “agjentë të jashtëm” ngrenë pyetje rreth teknikës së vendimmarrjes në parti. “Nuk do ju pyes ju për çështje të partisë”, “nuk është punë për ju”, “nuk do flas në publik për çështje të brendshme të partisë socialiste”.
Tingëllon ok. Por reagimi që ai shpërfaq është ai tipiku i pronarit që i prekin pronën. Shikoni edhe reagimin prej qehajai apo çifçiu që mbajnë ndjekësit e tij në të njëjtën situatë. Si tek çdo qehaja, funksioni i tyre është vetëm kujdestaria altruiste dhe vetëmohuese ndaj pronës së të zot’.
Dhe më tragjikja nuk është që e gjithë kjo po ndodh. Tragjikja është që qytetarët, por edhe “miqtë” ndërkombëtarë si rojtarë të demokracisë për popullin mik shqiptar, shohin gjithçka duke e pranuar si normalitet.