Në një kohë kur po vazhdon fushata serbe kundër futbollistëve kosovarë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, në Zvicër vazhdon solidarizimi me ta.
Gazetari i sportit të televizonit publik zviceran, Piere Pollier, ka bërë shqiponjën në fund të një transmetimi nga Rusia, duke thënë se qëndron prapa futbollistëve që festuan në këtë mënyrë.
Ndërkohë, gazeta më e madhe zvicerane, “Blick”, gjithashtu ka nisur një fushatë ku i ka ftuar lexuesit e saj të dërgojnë fotografi duke bërë gjestin me shqiponjën shqiptare.
Nga ana tjetër kujtojmë se dje FIFA ka nisur hetimet ndaj dy futbollistëve po nuk ka kursyer as trajnerin dhe tifozët serbë për sjelljen dhe deklaratat e tyre.
Në rast se gjenen fajtor djemtë shqiptarë mund të dënohen nga gjobë deri në disa ndeshje pezullim.
Lidhur me këtë ka reaguar dje dhe FSHF, ku Duka shprehet se ankesa në FIFA është një veprim qesharak.
“Futbolli është një lojë që ka emocione të forta dhe të bukura. Në çdo ndeshje të botërorit shikon mënyra të ndryshme të festimit të golave. Edhe Xhaka e Shaqiri festuan në mënyrën e tyre golat e shënuar. Simboli i shqiponjës nuk është aspak një simbol i ndaluar në asnjë vend të botës. Nuk është simbol lufte, urrejtjeje dhe diskriminimi. Kërkesa për investigim në “FIFA” për mënyrën e festimit të Xhakës dhe Shaqirit është, sa qesharake aq edhe primitive”, është shprehur Duka.
(E.K/FAXWEB.AL)