Kompania ajrore britanike “EasyJet” njoftoi sot shkurtimin e 4 500 vendeve pune, rreth një e treta e punonjësve të saj, me qëllim për t’i bërë ballë pasojave nga pandemia e koronavirusit.
“EasyJet”, aktiviteti i të cilit është ndërprerë që prej disa javësh, synon të ruajë financat dhe të përshtatet me një trafik ajror më të ulët për një periudhë të gjatë. Kompania i bashkohet konkurrentëve të saj “British Airëays”, “Ryanair” apo “Virgin Atlantic”, të cilat kanë njoftuar shkurtime të vendeve të punës së fundit.
Kompanitë ajrore janë një nga sektorët më të goditur nga pandemia e Covid 19, për shkak se shumica e shteteve kanë mbyllur kufijtë, dhe fluturimet pothuajse janë anuluar të gjitha. Nga 15 Qershori pritet që të ketë një hapje nga ana e vendeve të BE-së, por të gjitha parashikimet thonë se numri i udhëtarëve do të bjerë ndjeshëm.