Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri së bashku me zv/kryeministrin Niko Peleshi inspektuan së fundmi punimet për ndërtimin e hidrocentralit, pjesë e Projektit Hidroenergjitik të Devollit.
Pas vënies në punë të HEC Banjës, HEC Moglica do të jetë i dyti hidrocentral që do të ndërtohet mbi lumin Devoll. Punimet në tunele (16km) janë të përfunduara në masën 80 % ndërsa punimet për ndërtimin e digës janë në vazhdim.
Deri më tani, kompania prestigjoze norvegjeze Statkraft ka investuar rreth 150 million euro për ndërtimin e HEC Moglicës çka përbën thuajse gjysmën e investimit. Vetëm në HEC Moglicë janë të punësuar gjithësej 1243 persona nga të cilët 1022 janë shqiptarë dhe 221 të huaj për shkak të eksperiencës së tyre teknike.
“Kompania ka standardet më të larta mjedisore, ka një bashkëpunim me autoritetet vendore. Njëkohësisht, ka qenë edhe një punë shumë e rëndësishme e qeverisë shqiptare që zgjidhi problemet e trashëguara që kishin të bënin me infrastrukturën. Pa zgjidhjen e këtyre problemeve të infrastrukturës kjo vepër nuk do progresonte siç po ndodh. Është një tregues tjetër që investimet e huaja vazhdojnë të progresojnë në Shqipëri, ashtu siç janë edhe investimet tjera në fushën elektroenergjitike. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme, me garancitë që ka dhënë aty, do të shtojë akoma më shumë interesin në fushën e investimeve në hidroenergji dhe burimet tjera alternative si energjia diellore dhe ajo e erës”, u shpreh ministri Gjiknuri. (XH.A/SHUPLAKA)