Ditën e sotme, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi nga afër punimet që po kryhen për rinovimin e rrjetit elektrik në zonën e Laprakës.
Sëbashku me Gjiknurin ishte edhe Administratori i Operatorit të Shpërndarjes Adrian Çela.
Gjiknuri u shpreh se këto investime janë pjesë e rivitalizimit të infrastrukturës energjitike të vendit.
“Është pjesë e një plani për rivitalizimin e të gjithë infrastrukturës energjitike në gjithë Shqipërinë. Kjo po vazhdon pavarësisht situatave të vështira financiare që ka patur Operatori i Shpërndarjes për shkak të krizës energjitike.
Suksesi i reformës në energji u provua, me këtë test që kaloi sistemi, përballoi importe deri në 90 milion euro pa shkundur financat e shtetit.
Të mos harrojmë se dikur, kur kishte krizë energjitike e thatësirë, financat e shtetit shkundeshin dhe pengohej çdo lloj investimi tjetër. Përkundrazi, OSHEE ka qenë në gjendje t’i përballojë këto me të ardhurat e veta, me një mbështetje minimale e të programuar nga Buxheti i Shtetit.
Në çdo rast vendi nuk duhet të mbetet pa energji por siç e thashë, treguesi i suksesit të reformës bëri të mundur që kompania të sigurojë furnizimin me energji, të importojë edhe pse në kushte të vështira e me çmime të larta për shkak të thatësirës e mungesës së prodhimit në gjithë Ballkanin.
Ka qenë e planifikuar që në fillim të vitit një garanci e mbështetje prej 3 miliard lekësh për sektorin energjitik. Klima po përmirësohet dhe besoj se pjesa më e madhe e rrezikut është tejkaluar. Në kushtet që jemi, edhe me mbështetjen në bazë të aktit normativ, situata do jetë e stabilizuar dhe nuk do kemi problem me importin e furnizimin”, tha Gjiknuri.
Kujtojmë se ky investim prek zonën e Stacionit të Trenit, Rrugën Jordan Misja, bllokun pranë Hipotekës, një pjesë të zonës së Don Boskos dhe pothuajse gjithë Laprakën. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post