Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, në fundin e së cilës Damian Gjiknuri tha se opozita po kërkon sebepe për tu larguar nga tryeza e diskutimeve. Gjiknuri tha se askush nuk duhet të ndikohet nga deklaratatat politike, dhe se në tavolinë është dhe opsioni për ndryshimin e sistemit, por që do të mbetet për një moment të dytë, pasi kjo çështje kërkon ndryshime kushtetuese.
“Ekspertët paraqitën një numër propozimesh që janë punuar, kuptohet me 2-3 dallime, shpresojmë që në mbledhjen e radhës t’u japim zgjidhje disa cështjes, si kuota gjinore, policia, roli i prokurorisë, disa ligje për drejtësinë penale, pjesë e kërkesave që ka ngritur opozita.
Nuk mund të përdoren deklarata si sebepe për tu larguar nga tavolina, negociatorët nuk kanë pse të ndihen në presion nga deklarata publike. Unë nuk jam atje në tryezë si një person apolitik, jam si përfaqësues i Partisë Socialiste.
Të gjitha propozimet për të ndryshuar sistemin zgjedhor kërkojnë ndryshime në Kushtetutë, dhe kërkojnë një diskutim më të gjetë politik, duke qenë parti në pushtet çdo propozim i yni paragjykohet. Çështja e sistemit është në tavolinë dhe iu takon palëve që ta gjykojnë këtë”, u shpreh Gjiknuri.
“Sa i përket vettingut, është parim kushtetues, e njëjta gjë për depolitiizmin e administratës, ne jemi duke diskutuar, brenda parimit për të gjetur zgjidhje, nuk është shkencë ekzakte, por politike për të akomoduar interesat e palëve. Të gjitha propozimet për sistemin zgjedhor kërkojnë ndryshime Kushtetuese, kjo kërkon kohë, disa parti kanë thënë se nuk e votojnë Kodin, pa këtë, por ne do të bëjmë çmos për të gjetur kompromis. Për sistemin ne kemi pikëpamjet tona, kemi opinionet tona, që mbase ka ardhur momenti që mund të rishikohet mos ketë koalicione zgjedhore, ky është mendimi im personal” , deklaroi përfaqësuesi socialist në këtë takim.
……..
Debati më i fortë i zhvilluar në mbledhjen e sotme, ishte ai mes Petrit Vasilit dhe Damian Gjiknurit, për shkak se mazhoranca shprehet se çështjet për të cilat kanë rënë dakord që në muajin Mars, nuk mund të shtohen me kalimin e ditëve. Një nga pikat më të nxehta të diskutimit mes palëve është qeveria kujdestare, 6 muaj para zgjedhjeve që kërkohet me ngulm nga ana e opozitës, por që nuk pranohet nga mazhoranca socialiste.
Kjo situatë e nderë mes palëve u paralajmërua që në nisje të kësaj mbledhje, ku përfaqësuesit e opozitës thanë se Rama po merr peng Reformën, pasi marrëveshja e nisur në Janar, ishte e ndryshme nga ajo që ka deklaruar kreu i qeverisë në media. Rama tha se e gjithë Reforma Zgjedhore do të bazohet në rekomandimet e OSBE-OHDIR, ndërsa opozita këmbëngul se gjatë rrugës kanë dalë çështje të reja, siç është dhe ajo e qeverisë kujdestare, që është një propozim i palëkundshëm nga ana e tyre.
Kujtojmë se që në krijimin e Këshillit Politik, të dakordësuar nga të gjitha palët, u tha se puna e kësaj strukture që do të asistohet nga përfaqësues të OSBE/ODIHR-it do të përqendrohet tek objekti i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, pra rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndryshe nga pretendimet e tanishme të opozitës jashtë parlamentare.
Mëngjesin e sotëm u publikua dhe email-i që Vasili kishte drejtuar ndaj anëtarëve të Këshillit Politik, ku thuhej: “Është e qartë se ky qendrim publik i kryeministrit është një provokim i rëndë për Këshillin Politik, që minon frymën e konsensusit. Këshilli politik nuk është as zyrë dhe as paradhomë e kryeministrit. Ky kryeministër me rekorde tepër të rënda në manipulimin dhe kriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka asnjë interes për të mbështetur propozimet e opozitës, që pastrojnë zgjedhjet nga shitblerja dhe kriminalizimi. Nuk mendoj se OSBE – ODIHR janë noterizuesit e propozimeve të njëanshme provokative dhe antikosensuale të Kryeministrit.”- thuhet në komunikimin elektronik që ne kemi siguruar.
“Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, pas deklarimeve të kryeministrit kryetar partie të tij, është tashmë në kushtet e pamundësisë së plotë të negociimit dhe të mungesës së plotë të besimit e të sinqeritetit politik për të ndërtuar konsensus.Pa qartësuar në nivel politik një situatë të tillë, vazhdimi në këto kushte i punës së Këshillit Politik do të ishte vetëm një peëmbushje e skenarit të Kryeministrit për zvarritjen e procesit të reformës zgjedhore, me qëllim fitimin e kohës dhe vendosjes përpara faktit të kryer e votimit të njëanshëm të kësaj reforme.”- thuhet në emailin e dërguar nga Petrit Vasili për anëtarët e Këshillit Politik. (E.K/Faxweb.al)