Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Tiranë padit gazetarët Elton Qyno, Adriatik Doçi, Aleksandra Bogdani dhe Besar Likmeta. Në të njëjtën kohë, me padinë ndaj dy gazetarëve të ”shqiptarja.com” dhe vetë këtë medie çifti Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë ngritur një padi edhe ndaj BIRN Albania si dhe ndaj gazetarëve Besar Likmeta e Aleksandra Bogdani. Nga BIRN Albania dhe dy gazetarët, gjyqtari kërkon dëmshpërblim të përgjithshëm prej 7 milionë lekësh kurse nga shqiptarja.com dhe gazetarët e saj 4 milion lekë dëmshpërblim.
Sipas Gjonit dy gazetarët e shqiptarja.com kanë cënuar nderin dhe personalitetin e tij. Por i mënjershëm ka qenë reagimi i gazetarit Doçi ditën e djeshme ndërsa sot ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
”Miq, gjyqtari Gjin Gjoni më akuzon se e kam bërë të vuajë, pra e kam sëkëlldisur dhe lënë pa gjumë. Për rrjedhojë më kërkon mua 10 milionë lekë të vjetra, 10 kolegut tim E. Q dhe 20 gazetës Shqiptarja.com, ku punoj.
Përgjigja ime është kjo:
Kjo padi më bën nder
Më jep emrin shqiptar.
Shkrimeve, të cilat Gjin Gjoni i ngatërron me ëndrrat me Veting, nuk u heq asnjë presje.”, kundërpërgjigjet Doçi.
Gjyqtari Gjin Gjoni, në padinë e tij, u referohet disa pasazheve të dy artikujve të gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doçi, me titullin: ‘Gjermani e Francë sjellin përgjigjet për dosjen ‘Gjin Gjoni’’, dhe ‘Gati Vetingu, ja gjyqtarët që rrezikojnë largimin nga sistemi’.
DEKLARATË E UNIONIT TE GAZETARËVE SHQIPTARË:
”Zoti Gjoni para se të përballeni në procese gjyqësore me gazetarët, zhvishuni nga mundësia e ndikimit mbi gjykatësit që do gjykojnë! Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i informuar rreth mësymjes gjyqësore që Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë zoti Gjin Gjoni ka hapur ndaj disa gazetarëve dhe mediave respektive ku punojnë, në pretendime juridike për cënim të imazhit të tij si dhe disa argumentave të pretenduara juridike.
UGSH e konsideron këtë proces të emrit të përfolur prej kohësh në mediumet e vendit, si një përpjekje të dështuar qysh në nisje të proceseve të hapura prej tij.
UGSH duke mbetur në pritje të seancave dhe gjykimeve të pritshme, pa nisur ende ato, në emër të parimit të mosndikimit për shkak të pozitës dhe për të evituar çdo nuance intimidimi prej zotit Gjin Gjoni, i kërkon atij dorëheqjen nga funksionet e larta drejtuese , duke e konsideruar këtë një mundësi të barazisë së tij me gazetarët si palë e akuzuar, në raport me proceset gjyqësore që ai ka hapur.
UGSH deklaron mbështetjen e kolegëve në këtë përballje me një ndër eksponentët e lartë të sistemit aktual të gjyqësorit në vend.”(V.G/SHUPLAKA)