Qeveria e Edi Ramës ka zyrtarizuar ndërtimin e dytë që do të kryhet në sajë të projektit 1 miliardë euro. Do të jetë rruga Thumanë-Kashar, me gjatësi totale 20.8 kilometra, e cila do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë 225.8 milionë euro.
Vendimin e ka dhënë sot ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga ku ka shpallur fituese kompaninë “Gener 2” në tenderin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, për një periudhë prej 13 vitesh.
4 kompanitë që u futën në garë:
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, në tenderin për ndërtimin e rrugës kanë marrë pjesë 4 kompani, respektivisht “Gener 2”, “Gjikuria”, “Alpin SRL” dhe “Gruppo Adige Bitumi”.
Konkretisht, shoqëria “Gener 2” sh.p.k. ka paraqitur ofertën me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 225.821.553 euro; shoqëria “Gjikuria” sh.p.k. me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 274.588.575 euro; shoqëria “Alpin” s.r.l. me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 283.809.745 euro dhe shoqëria “Gruppo Adige Bitumi” s.p.a. me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 298.402.895 euro.
Gener 2, e preferuara e qeverisë:
Kjo kompani vitet e fundit është kthyer në një nga më të preferuarat e qeverisë, ku kujtojmë se ka fituar tenderin për ndërtimin e digave te liqeni i Tiranës, si dhe së fundi, pavarësisht vendimin të Gjykatës së Apelit në Tiranë, vijon punimet për hidrocentralet në Valbonë.
Të shumta kanë qenë protestat dhe denoncimet e banorëve lidhur me shkatërrimin e mjedisit, po kjo ka rënë në veshin e shurdhët të organeve ligjzbatuese.
Lidhur me ndërtimin në zonën e mbrojtur kanë reaguar dhe ambasadorët në vendin tonë, përmes një letre dërguar kryeministrit Edi Rama, ku kundërshtohej leja e dhënë, deri në një studim të plotë të zonës. Letër e cila nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Fitimi me anë të ofertës së pakërkuar:
Koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar ka nisur përmes një oferte të pakërkuar, pra ndërtimi i kësaj rruge nuk është kërkuar nga qeveria, por u propozua nga vetë kompania “Gener 2”, e ngjashme me projektin e kontestuar së fundi për ndërtimin nga ana e Kompanisë Fusha për Teatrin e ri Kombëtar.
Për këtë, Gener 2 u shpërblye me 8.5 për qind të pikëve, duke hyrë e avantazhuar në tender, dhe duke e bërë pothuajse të pamundur konkurencën e drejtë nga ana e kompanive të tjera në garë.
Rruga do të ndërtohet me paratë e vet kompanisë private, ndërsa qeveria do ta paguajë atë më keste për 13 vitet e ardhshme. Sipas vlerës, tashmë zyrtare në total, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës për 13 vite do të kushtojë 225.8 milionë euro, ose 10.8 milionë euro për çdo kilometër.
Kundërshtitë brenda rradhëve të mazhorancës për ofertat e pakërkuara:
Projekti i ofertave të pakërkuara është kundërshtuar dhe vetë brenda rradhëve të mazhorancës, ku kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe kërkoi dje që ti jepej fund kësaj praktike nga ana e qeverisë, duke thënë se kjo nuk i shërben ekonomisë së vendit. Ai kërkoi hartimin e një ligji të ri në muajin shtator.
‘’Koncesionet nuk janë krijim i joni por është gjetur e zeza mbi të bardhë në ligjin për koncesionet që e keni bërë ju (Qeveria “Berisha”). Nëse ju mendoni se ligji për koncesionet ka shkelje, drejtohuni tek institucionet përkatëse. Në shtator do kemi një ligj të ri për koncensionet. Për mendimin tim, duhet të hiqet parashikimi i dhënies me koncension kur ka ofertë të pakërkuar’’, u shpreh deputeti i PS-së që siç duket bie ndesh me qëndrimin që po mban qeveria e tij në rastin e Thumanë-Kashar.
Projekti i rrugës:
Gjurma e rrugës fillon nga Thumana, 150 m në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë – Krujës. Gjurma e rrugës vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës.
Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë -Durrës).
(E.K/FAXWEB.AL)