8 vjet pas krijimit, Bitcoin po kërkon të hyjë edhe në Shqipëri. Por BSH duket pengesa e parë dhe kryesore.
Në deklaratën e saj, Banka thotë se kjo monedhë nuk është e ligjshme në Shqipëri dhe asnjë kompani që tenton ta sjellë atë këtu, nuk ka të drejtë ligjore.
“Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
BSH paralajmëroi qytetarët se investimi në këtë monedhë është i pasigurt, i ngjashëm me skemat piramidale.
“Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë.”
Me gjithë paralajmërimin e BSH, Bitcoin po tregtohet edhe në Shqipëri, siç ka raportuar edhe më parë lapsi.al. Në Kosovë u njoftua hapja e ATM –së së parë nga kompania Albvision, e cila thotë se do të hapë ATM edhe në Tiranë dhe në Shkup.
Por çfarë është Bitcoin?
Bitcoin me simbolet BTC ose XBT u krijiua në vitin 2009 nga persona të panjohur. I vetmi emër pas saj është Satoshi Nakamoto, një pseudonim, që idenë e kishte hedhur një vit më parë. Bitcoin nuk është pronë e ndonjë enti qëndror si Rezerva Federale në SHBA apo Banka Qëndrore Europiane në BE. Ajo përdor një platformë në internet.
Rrjeti Bitcoin lejon përdorimin dhe transferimin anonim të monedhës virtuale; të dhënat për përdorimin e saj mund të ruhen në një kompjuter personal nën formën e një “portofoli” digjital apo të mirëmbahen nga palë të treta që luajnë rol të ngjashëm me atë të një banke.
Shumat në Bitcoin mund të transferohen nëpërmjet internetit tek çdokush që ka një adresë “bitcoin”.
Struktura “peer-to-peer” që përdoret për tranferimin e saj (ku çdo kompjuter mund të luajë rolin e një serveri) dhe mungesa e një enti qëndror e bën të pamundur që ndonjë autoritet, qeveritar ose jo, të bllokojë tranferimet, të sekuestrojë paratë.
Ç’vlerë ka?
Vlera e Bitcoin ka ardhur duke u rritur, siç mund ta shihni edhe në grafikun e mëposhtëm që sjell lapsi.al. Aktualisht 1 monedhë Bitcoin konvertohet në 2,261 dollarë.
Si mund të blihet dhe si mund të përdoret për të blerë?
Bitcoin mund të blihet online, duke u regjistruar në faqen zyrtare, me të dhënat personale. Pasi të kesh transferuar një sasi parash në llogari apo në portofolin virtual, Bitcoin mund të përdoret për të blerë online në mjaft adresa që e pranojnë atë si monedhë, njësoj si monedhat e tjera (dollar apo euro). Mund të tërhiqet edhe në ATM, në vende të ndryshme të botës.
Skepticizëm dhe bujë
Edhe pse në përdorim prej 8 vjetësh dhe me shtim të numrit të përdoruesve dhe rritjes së vlerës së saj, për monedhën virtuale ka shumë dyshime. Janë të shumtë skeptikët, ndërsa ajo që e bën tërheqëse është vetëm buja që ka bërë në internet. Teksa Bitcoin është rritur, vonesat e pagesave janë bërë të zakonshme dhe gjithnjë e më shqëtësuese.
Kush janë rreziqet?
Banka e Shqipërisë renditi 5 pika si rrezik për përdorimin e Bitcoin.
Së pari, vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit nuk është e garantuar dhe është mjaft e paqëndrueshme. Vlera e monedhave mund të manipulohet duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të konsiderueshme jashtë kontrollit të tij. Gjithashtu, ka një mundësi të madhe që si pasojë e mungesës së likuiditetit të kundër palës, të mos mundësohet asnjëherë konvertimi i monedhës virtuale sërish në monedhë konvencionale (fiat).
Së dyti, këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar. Për rrjedhojë, kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale të këmbyera nga këto shoqëri, do të përballet me rrezikun e humbjes si rrjedhojë e problemeve të natyrave të ndryshme që ato mund të shfaqin.
Së treti, për sa kohë platformat janë vetëm virtuale dhe pa mundësi enkriptimi, ato janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Në këto kushte, investimi bëhet i pasigurt dhe ai mund të sulmohet në çdo kohë nga hackers dhe të humbasë përgjithmonë, pa pasur mundësi rikuperimi. Kjo, përsa kohë nuk ka asnjë mundësi mbulimi apo mbrojtjeje, siç është për shembull fondi i sigurimit të depozitave në banka.
Së katërti, për sa kohë investimi në këto monedha ka anonimat, ai mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo kontrabandë mallrash të paligjshme.
Së pesti, me kërkesë të skemës së monedhës virtuale, nevojitet që personat të bëjnë identifikimin e tyre në platformat elektronike, si për shembull nëpërmjet skanimit të pasaportës, të retinës apo të gjurmëve të gishtërinjve. Aplikimi i këtyre mënyrave të identifikimit nga ana e programit (IT software) nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale apo të standardeve të sigurisë. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre.
Vendet që e lejojnë Bitcoin
Në hartën e mëposhtme që po sjell lapsi.al mund të shihen vendet ku Bitcoin lejohet (me të gjelbërt) dhe ato vende ku konsiderohet monedhë e paligjshme (me të verdhë). Në Ballkanin Perëndimor dhe në disa vende të Afrikës e Azisë (të shënuara me të zezë), nuk ka të dhëna nëse për kufizime ligjore të Bitcoin. / Lapsi.al