Drejtuesit e mjeteve mund të verifikojnë nëse kanë gjoba të prapambetura nga policia rrugore ose Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor në portalin “e-Albania”. Ky shërbim elektronik u jep mundësinë qytetarëve dhe bizneseve të kontrollojnë nëse kanë kundërvajtje rrugore të papaguara; nëse po, t’i paguajnë ato online.
HAPAT E PROCEDURËS
Pronari i makinës që kërkon të verifikojë nëse ka ose jo detyrime, duhet të regjistrohet në portal si qytetar ose si biznes. Më pas përdoruesi zgjedh automjetin që ka në pronësi dhe nëse ka gjoba të papaguara për kundërvajtje rrugore të cilat janë pasqyruar në sistemin e Policisë së Shtetit, ato do të shfaqen në ekran. Më pas ai mund t’i shikojë të dhënat për kundërvajtje rrugore, t’i printojë ose t’i ruajë në formatin “PDF”. Në rast se ka detyrim dhe dëshiron ta kryejë pagesën e kundërvajtjes rrugore, duhet të shtypë butonin “Paguaj” dhe të ndjekë hapat për të kryer pagesën. Shërbimi merret menjëherë.
GJOBAT E DPSHTRR
Gjobat për mungesën e pagesave të taksave vjetore të mjeteve mund të verifikohet online. “Gjobat e kontrollit në rrugë nga DPSHTRR” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson zotëruesve të automjeteve të shohin online gjobat e kontrollit në rrugë të DPSHTRR- së dhe t’i paguajnë ato online. Dokumenti i identifikimit të përdoruesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin “e-Albania”).
HAPAT E PROCEDURËS
Për të marrë shërbimin online: Regjistrohuni si qytetar/biznes në portal, zgjidhni shërbimin “Gjobat e kontrollit në rrugë nga DPSHTRR”, klikoni butonin “Përdor”, zgjidhni mjetin për të cilin dëshironi të shikoni online gjobat e kontrollit në rrugë dhe klikoni butonin “Zgjidh” përkrah tij.
Nëse dëshironi të kryeni pagesën e gjobave të papaguara, shtypni butonin “Paguaj” dhe ndiqni hapat për të kryer pagesën. Në faqen “e-Albania” është edhe shërbimi “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti”, i cili është një shërbim elektronik që u mundëson zotëruesve të automjeteve të aplikojnë online për çregjistrim të përhershëm të mjetit si dhe të kryejnë online pagesën përkatëse për aplikimin.
Çregjistrimi i mjeteve rrugore kryhet në zbatim të ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, VKM Nr. 153, datë 07.04.2000, “Për Miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe Udhëzimit Nr.01, datë 18.01.2012, “Mbi Dokumentacionin e Qarkullimit dhe Regjistrimit të Mjeteve Rrugore me Motor dhe Rimorkiove të Tyre”, i ndryshuar. DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM
Dokumente që ju nevojiten për të marrë shërbimin online janë: Dokument i identifikimit të përdoruesit; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin “e-Albania”). Dokumente që duhet të dorëzoni në sportelet e drejtorive rajonale: Dokumenti i identifikimit ose Ekstrakti i QKBsë për bizneset, leja e qarkullimit të mjetit, targat e mjetit, certifikatë pronësie dhe vërtetim RBS (Regjistri i Barrës Siguruese).
HAPAT E PROCEDURËS
Për të marrë shërbimin: Regjistrohuni si qytetar në portal, zgjidhni shërbimin “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti”, klikoni butonin “Përdor”, aplikoni për çregjistrimin e përhershëm të mjetit, kryeni pagesën e aplikimit, duke ndjekur hapat për të kryer pagesën online dhe paraqituni pranë sporteleve të drejtorive rajonale për dorëzimin e dokumenteve. Kostoja e shërbimit është vetëm 600 lekë. (E.K/SHUPLAKA)