Policia e kryeqytetit ka arrestuar dy persona të cilët i ka cilësuar me rrezikshmëri të lartë ndërsa njoftoi se i kishin vënë gjobë 21 mijë euro një personi.
Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i personave të rrezikshëm në Tiranë, për të cilët mësohet se quhen Nikolin Fili, i njohur edhe me emrin Aldo Tafa -37-vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Eugen Liçi, alias Gentian Goxhaj (Vasili)- 43-vjeç banues në Tiranë, i kërkuar në Itali, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër-arresti, për kryerjen e veprave penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafik droge”.
43-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” kanë nisur procedurat nga drejtësia shqiptare për njësim vendimi.
Ashtu sikurse vihet re nga të dhënët e personave në fjalë, përdornin dy emra dhe dy mbiemra ndërsa i kanë kërkuar me dhunë shokut të tyre, Alvaro Saliaj, shumën prej 21 mijë eurosh.
Mësohet se dy të arrestuarit kanë pasur konflikte të mëparshme me me ‘viktimën’ jashtë shtetit.
Ata kanë pretenduar fillimisht se kanë tentuar të bëjnë vetëgjyqësi, pasi Alvaro ua kishte borxh lekët, por janë zbuluar nga policia.
Ata ranë në pranga falë një operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet i pajisur me fenelina e sirenë policie, 2 karta italiane të falsifikuara dhe një patentë e falsifikuar, të cilat i përdorte personi në kërkim ndërkombëtar, si dhe një sasi parash.
Aksioni u realizua pas informacioneve të marra se dy shtetas i kishin vënë gjobë për dhënie parash një shtetasi dhe kishin lënë vendtakim për të marrë paratë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, duke përdorur edhe metodat proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “TAKIMI”, transmeton Faxweb.al.
Në momentin e ndalimit të mjetit nga Policia, mjet i pajisur me fenelina dhe sirenë policie, këta shtetas u kanë dhënë gjeneralitete të tjera shërbimeve të Policisë, por pasi janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit 43 vjeçarit, banues në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një patentë të falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara, të cilat i përdorte ky shtetas për t’iu shmangur identifikimit nga Policia, si dhe një sasi parash.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i këtyre dy shtetasve për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, dhe për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Materialet e grumbulluara iu dërguan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprime të mëtejshme.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post