Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka bërë një deklaratë drejtuar mediave dhe institucioneve të tjera për shkeljet e rënda ligjore ndaj kësaj sindikate dhe minatorëve.
Kjo deklaratë nis me një denoncim që i drejtohet Fiqiri Xibrit, ku sipas KSSH është kryetar i një sindikate fantazëm që nuk ka asnjë anëtar dhe që po “gjobit” minatorët me premtimin e dhënies së statusit.
“Xibri u vendos gjobë minatorëve të Shqipërisë, teksa u kërkon atyre të plotësojnë një formular dhe të paguajnë një tarifë prej 10 mijë lekësh për të përfituar statusin e minatorit.” shkruhet në deklaratë.
KSSH i kërkon Prokurorisë dhe Policisë Shtetit të nisë një hetim ndaj Xibrit pasi kemi të bëjmë më një rast zhvatjeje flagrante që prej disa vitesh.
Në vazhdimësi sindikata ka rreshtuar një sërë pozicionesh që ai ka mbajtur pa të drejtë në administatën shtetërore pasi që prej vitit 1994 ai rezulton në pension.
Xibri: Banditë të nxitur për të më prishur imazhin
I pyetur nga Fax Web Fiqeri Xibri, i ka përgënjeshtruar deklaratat e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, të cilët e akuzojnë se Xibri u vendos “gjobë” minatorëve të Shqipërisë, nëpërmjet anëtarësimit me tarifën 10 mijë lekëshe për të përfituar statusin e minatorit.
Për Fax Web Xibri deklaroi se këto janë sajesa të këtyre personave të cilët nuk kanë as skrupuj por tentojnë të prishin imazhin e tij. Xibri deklaron me bindje të plot se akuzat në drejtim të tij janë të nxitura nga qeveria.
“Unë nuk kam lidhje fare me këtë gjë, ata janë banditë që kërkojnë të më prishin imazhin, ata vetëquhen sindikatë sepse sindikata e vërtetë jam unë, ndërsa ata janë thjesht banditë, të cilët mbështeten dhe nxiten nga qeveria”, tha Xibri për Faxweb.al.
Deklarata e plotë e KSSH:
Fiqiri Xibri, ekselenti me shkollë të mesme që u punësua na administratë u vendos “haraç” minatorëve dhe një apel për Braçen.
Fiqiri Xibri, kryetar i një sindikate fantazëm që nuk ka asnjë anëtar u vendos gjobë minatorëve të Shqipërisë, teksa u kërkon atyre të plotësojnë një formular dhe të paguajnë një tarifë prej 10 mijë lekësh për të përfituar statusin e minatorit.
Ky përbën një skandal dhe shkelje të rëndë ligjore dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë I kërkon Prokurorisë dhe Policisë Shtetit të nisë një hetim pasi kemi të bëjmë më një rast zhvatjeje flagrante nga një njeri pa moral dhe pa nivel që prej vitesh njollos emrin e sindikatave dhe minatorëve.
Miratimi I statusit të minatorit është drejt finalizimit falë këmbënguljes dhe punës ndër vite të Konfederatës së Sindikatave dhe BSPSH dhe çdo përpjekje për të përfituar në kurriz të kësaj kategorie fisnike duhet të marrë përgjigjen e merituar nga organet e drejtësisë dhe Konfederata e Sindikatave do tu drejtohet policisë dhe prokurorisë për të denoncuar këtë abuzim. KSSH vendos në dispozicion të medias edhe njoftimin e “Sindikatës Minatorëve 91” që kërcënon publikisht mbi 12 mijë ish minatorë që nëse nuk plotësojnë formularët pranë kësaj sindikate dhe nuk paguajnë gjobë tek Fiqiri Xibri nuk përfitojnë statusin e minatorit.
Ky kërcënim vjen nga njeriu që është filmuar dhe ka dalë në mediat më të rëndësishme duke shpërndarë para për pjesëmarrës në protesta, ky kërcënim vjen nga një leve e sigurimit të shtetit që këto 30 vite është vetëpërdorur nga çdo qeveri dhe disa oligarkë për të përçarë sindikatat dhe për të përçarë minatorët.
Ky mashtrues kalibri duke përdorur disa minatorë arriti të shkojë deri në postin e Këshilltarit të Ministrit të Punës, ministri që ndër të tjera u mbyll edhe falë këshillave të këtij njeriu, që ende shpreson se mund të nëpërkëmbë dhe njollosë emrin e minatorëve, të cilët shumë shpejt do pajisen me status. KSSH u kërkon ish minatorëve të mos bien pre e shantazhit këtij njeriu dhe të vijnë pranë nesh e të denoncojnë çdo mashtrim tjetër të tij pasi ne do ti mbështesim në betejën e tyre ligjore.
Fiqiri Xibri falë punës tij ndër vite për të përçarë sindikatat mesa duket është shpërblyer teksa njerëz të kabinetit Kryeministrit kanë detyruar Ministren Anila Denaj ta emërojë atë Administrator të Dosjeve të Pensioneve në arkivën e ISSH
Ky është një skandal në kufijtë e absurditetit dhe dikush duhet të përgjigjet për këtë, pasi ai rezulton se prej vitit 1994 është në pension.
Fiqiri Xibri ka kërkuar këtë post pasi të gjithë dinë se dosja e tij e daljes në pension është dyshimtë dhe ai është justifikuar se dosja është djegur në minierën e Valiasit në vitet 1990, ndërkohë objektivi I tij është rehabilitimi I dosjes tij të pensionit përmes falsifikimit.
Ky individ kobure e ndryshkur e ish Sigurimit Shtetit pasi “u lodh e sakrifikoi për të drejtat” e minatorëve ia doli që më në fund të vetëpunësohet sërish në administratë. Si mund ti besohet një pozicion I tillë në ISSH një personi me arsim të mesëm profesional në një kohë kur të shkolluarit me master e doktoraturë jashtë vendit enden rrugëve të papunë, këtë vetëm ata që kanë marrë përsipër ta shpërblejnë për veprimtarinë e tij antisindikale e dinë.
Nëse Rama, Braçe e Ministrat çdo ditë në ekrane na flasin se si ekselentët po punësohen në administratë, por në realitet një mashtrues me shkollë të mesme elektrike pozicionohet në një post kyç në një institucion shtetëror dhe madje konflikt të pastër interesi, atëherë kemi të bëjmë me një problem të madh.
Zv. Kryeministrit Erion Braçe që ka premtuar një administratë dinjitoze Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë I kërkon një sqarim ne emër të gjithë minatorëve shqiptarë për këtë skandal.
Kryeministri Edi Rama të distancohet nga ky abuzim i këshilltarëve të ngushtë të tij dhe të tregojë se nisma e tij për një administrate me ekselentë dhe punonjës shembullor nuk është muhabet kafenesh, rrjetesh sociale dhe premtim elektoral por një domosdoshmëri që do finalizohet deri në fund.
Epoka e talljes dhe djersën e minatorëve ka përfunduar !