Kukësi është mposhtur me rezultatin minimal 1-0, në miqësoren e luajtur sot ndaj Kairat Almatit.
Trajneri i verilindorëve në një prononcim për “SuperSport” tha se skuadra luajti mirë, vetëm se mungoi goli.
Ndër të tjera ai theksoi që përballja me kundërshtarë të fortë e ndihmon ekipin të përgatitet më mirë për fazën e dytë të kampionatit.
Deklaratat e Gjokës:
Miqësorja me Kajratin
“Mendoj që duhej të ishim treguar pak më cinikë para portës. Kishim disa raste për të shënuar, përveç penalltisë së humbur nga Pero. Gjithsesi, mendoj se skuadra dalëngadalë po vjen aty ku kërkojmë. Sot më vjen keq vetëm që nuk shënuam, pasi do të kishte qenë më ndryshe edhe në aspektin psikologjik.
Këto ndeshje na rrisin, na japin disa mundësi, sepse futbolli shqiptar ka nevojë për të tilla nivele. E para sepse vret frikën ndaj kundërshtarëve me emër dhe e dyta sepse përballesh me një nivel cilësor shumë më të lartë se ne. Pra këto ndeshje na ndihmojnë për të ecur përpara.
Nëse e shohim nga ana rezultati, do të donim një kundërshtar pak më të lehtë, që të kishim mundësi të merrnim maksimumin tonë. Por, nga ana tjetër, theksoj sërish që na duhen këto ndeshje të forta për të testuar veten. Të vrasim frikën ndaj kundërshtarëve më të vështirë. Kur qarkullon topin, kërkon golin dhe humb penallti ndaj një rivali të tillë, për mendimin tim tregon se skuadra ka një rritje psikologjike dhe një marsh tjetër që na duhet për kampionatin shqiptar”.
Afrimet në merkato
“Unë e kam thënë që blerjet do të jenë shumë të studiuara dhe të kujdesshme, sepse tashmë e kemi boshtin dhe jo rastësisht jemi këtu ku jemi. Prandaj, mendoj që ky do të jetë formacioni i Kukësit. Presim edhe brazilianin Elton Kale të hyjë e të përshtatet me skuadrën sa më shpejt të jetë e mundur. Kurse Rrumbullaku duket qartë që është përshtatur shpejt dhe duket sikur luan me ne prej një kohe të gjatë”.
Ndaj Vllaznisë
“Në të dyja ndeshjet që kemi luajtur, në fushë ka qenë boshti i skuadrës. Miqësorja me Bakunë do të jetë testi përfundimtar për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Ata që pritet të jenë titullarë, do të kenë minuta më shumë përballë Neftçit”.