Trajneri i F.K. Kukësit, Ernest Gjoka, ka dhënë një intervistë për sajtin e klubit. Ai ka folur për dy ditët e para të fazës përgatitore dhe klushteve. Numri një i pankinës së verilindorëve ka treguar edhe për gjendjen e futbollistëve.
Gjendja
“Përgatitjet vijojnë me ritëm të lartë, në këto dy ditë të para të stërvitjes, në një hotel që është me parametrat Europian, me të gjitha kushtet e plotësuara, kjo absolutisht meritë e presidentit Safte Gjici, që na sjell në këto kushte. Them që në këto kushte që kemi, skuadra gradualisht do të vi në gjendjen optimale. Sigurisht janë dy ditë të para, me ngarkesa fizike të larta dhe për momentin gjendja e skuadrës është e ngarkuar fizikisht. Gjithsesi ne për këtë punë kemi ardhur, që të fillojmë të rrisim nivelin tonë”.
Miqësorja
“Sigurisht është një ndeshje shumë e fortë është një ndeshje me një skuadër elitare të futbollit turk, që dihet se në çfarë niveli është futbolli turk tashmë. Ne do të mundohemi të japim maksimumin kundër Instanbul Bashkeshirit, edhe pse në këto momente nuk jemi në 100% tonë. Ne vlerësojmë ndeshjen dhe momentin që jemi ne. Na takon të bëjmë një paraqitje dinjitoze, si dhe të shikojmë, për të vënë piketat për datën 21, pasi arsyeja kryesore, pse ne ndodhemi në Antalia, është që rifillimi i kampionatit të na gjejë gati”.
Prurjet
“Unë e kam thënë gjithmonë, që kemi një ekip të kompletuar me shumë cilësi brenda, që deri më tani ka bërë mirë, por nëse do të afrohet një lojtarë, që të ketë më shumë cilësi se grupi aktual pse mos ta pranojmë. Deri më tani kemi marrë një lojtar si Rumbullaku, i cili po orientohet dhe po bashkëpunon me skuadrën. Gjithashtu ka ardhur në provë dhe një lojtar nigerian, të cilin ne po e shohim me kujdes.
Synimet e fazës përgatitore
“Sigurisht kjo është një minifazë përgatitore, ku ne duhet të rrisim me patjetër komponentin e cilësive tona fizike, por dhe të shohim me kujdes anën tekniko-taktike, që është baza e skuadrës tonë”.