Ernest Gjoka do të vazhdojë të jetë trajner i Kukësit. Ai ka marrë garanci nga presidenti i Kukësit, Safet Gjici, për vazhdimin e kontratës me klubin kampion.
Tekniku i ka cilësuar zërat e fundit rreth largimit të tij si një tentativë sulmi ndaj drejtuesit të klubit, i cili është përfshirë edhe në jetën politike në vend.
“Unë vazhdoj të jem trajneri i Kukësit, nuk jam i shqetësuar. Kam qenë shumë i qetë, kemi qenë të shqetësuar vetëm për këtë lojë të pisët që u bë. Mendoj se nuk u bë që të godasin institucionin e trajnerit, së po mundohen të godasin presidentin e Kukësit në këtë periudhë fushate. Por në Shqipëri kështu funksionon”, tha ai për “SuperSport”.
Ndërkaq, Gjoka sqaroi se në takimin e sotëm është folur për merkaton dhe objektivin që është ai i kalimit të turit në Ligën e Kampioneve.
“Ishte një bisedë për merkaton, për afrimet e disa lojtarëve cilësore. Kërkojmë që skuadra të jetë dinjitoze në Champions të japim maksimumin dhe të kalojmë ture. Skuadra doli kampione, boshti i saj është i paprekshëm. Edhe nga biseda me presidentin, ne do të vazhdojmë të plotësojmë disa degë, për të qenë edhe më dinjitozë në Champions.
Emra nuk mund të zbulojmë, jemi në merkato, si profesionistë që jemi do të tregojmë emrat që do të konkretizojmë. Kërkojmë që skuadra të jetë dinjitoze në Champions por edhe në vazhdimësi për mbrojtjen e titullit kampion”, tha ai, duke treguar më pas edhe etapat e fazës përgatitore të ekipit.
“Skuadra do të fillojë përgatitjet në datën 12, pastaj rreth 8 ditë do të qëndrojë në Shqipëri, ku pjesën kryesore të punës e ka stafi mjekësor. Gradualisht do të bëhemi gati për të bërë një fazë prej 20-25 ditësh në Austri”, deklaroi Gjoka.(B.H/Shuplaka)