Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori sot pjesë në inaugurimin e ambienteve të reja të Qendrës për Informim të Bashkimit Europian.
Ministrja Gjosha, nënvizoi se të gjithë aktorët duhet të kenë gadishmërinë për të ofruar bashkëpunimin real për të punuar për qëllimin e përbashkët: integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Procesi i integrimit, nuk është vetëm një proces reformash të mëdha, por është një proces që kalon nga dyert e çdo familjeje, për mirëqenien e tyre dhe të ardhmen e sigurt. Aty qëndron puna jonë më e madhe”, tha Ministrja.
Ministrja theksoi se janë miliona euro fonde të taksapaguesve europianë të cilat prej vitesh i janë dedikuar Shqipërisë, për t’i ardhur në ndihmë të zhvillohet më tej, të forcojë shtetin e së drejtës, të konsolidojë demokracinë dhe të rrisë standardet e jetesës.
“Procesi i integrimit nuk është një proces përjashtues, nuk mundet të funksionojë pa gjithpërfshirje, ndaj jo vetëm institucionet shqiptare dhe ato të BE-së, por të gjithë aktorët duhet ta shohin njëri-tjetrin si pjesë e një zinxhiri të pandashëm, ku çdo hallkë nuk ka të njëjtën peshë pa tjetrën”, u shpreh Gjosha.
Po ashtu, gjatë inaugurimit të qendrës së informimit të BE-së në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori italian Alberto Cutillo, ambasadorja e Bashkimit Evropian, në Tiranë, Romana Vlahutin theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor është tejet i rëndësishëm për BE-në dhe se vendet përkatëse duhet të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të tyre.
“Mogherini e qartë kur tha se BE nuk ka për të qenë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Sigurojmë angazhimin tonë për të përfshirë Ballkanin perëndimor në BE. Integrimi në BE është një proces që ka në thelb qytetarët. Çdo gjë që ne si be bëjmë në Shqipëri e bëjmë për qytetarët. Do të duhet vendosmëri për të arritur në fund të procesit të integrimit. Do të duhet kurajë për të marrë vendime të rëndësishme.” tha ajo.
(M.D/ Shuplaka)