Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha priti një delegacion të Komisionit të Politikave të Bashkimit Europian në Senatin italian, ndaj të cilit në emër të qeverisë shqiptare, shprehu falenderimet për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë me procesin e integrimit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Delegacionit u shprehën se avancimi i Shqipërisë me procesin e integrimit i shërben Shqipërisë dhe BE-së, ndaj Italia do të vijojë të japë mbështetjen e saj më maksimale për këtë proces.
Delegacioni vlerësoi miratimin konsensual të reformës në drejtësi duke theksuar rëndësinë e zbatimit të saj dhe uruan që ky objektiv të realizohet sa më shpejt.
Ata u shprehën se veçanërisht ligji i Vettingut është një kusht i Bashkimit Europian për të përparuar me procesin e integrimit.
Ministrja Gjosha theksoi nga ana e saj se Shqipëria është e vendosur të çojë përpara axhendën e saj europiane, që do të mundësojë forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e standardeve për qytetarët.
Duke u ndalur te vettingu, Ministrja Gjosha u shpreh se zbatimi i këtij ligji është i domosdoshëm për hapjen e negociatave me BE dhe duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën, në mënyrë që të jetë i gjithëpranueshëm dhe i pakontestueshëm. (XH.A/SHUPLAKA)