Deputetja e LSI dhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e ftuar në studion e Fax Neës ka folur për dhënien e rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ajo ka thënë që ky ka qenë një vedim shumë pozitiv e që duhet monitoruar në vijimësi nga vendet e BE për të kryer reformat në vazhdim.
“Të punosh nuk do të thotë vetëm të lobosh, por të japësh rezultate konkrete. Rezultate që të bindin vende që i kaluar.” – tha Gjosha.
Ish-ministrja Gjosha ka uruar që në qershor vendet anëtare të japin votën pro për çeljen e negociatave.
“Qeveria duhet të nxitojë e të tregojë seriozitet e maturi dhe të tregojë sukseset e arritura deri tani pasi nuk ka ngelur shumë kohë.
Fatkeqësia në këtë proces është që Shqipëria nuk e ka kapur dot trenin e vitit 2025. Është një proces shumë i zvarritur që jo gjithmonë varet nga pala shqiptare por edhe nga politika e madhe evropiane.
Por që as ne nuk jemi të kulluar. Le të marrim procesin e Reformës në Drejtësi. Votimi ishte shumë i mirë por implementimi u bë me shumë probleme. Siç i bëjmë ne gjithmonë reformat, një hap para dhe dy hapa pas.
Siç ishte rasti i zgjedhjes së kryeprokurores që u zgjodh me 39 vota që askund nuk thuhet që të zgjidhet në këtë mënyrë.
Të gjitha arritjet e Shqipërisë duhet të vendosen në tavolinën e Francës dhe Gjermanisë në mënryë që të bëhet presion dhe të ecet përpara me reformat.
Uroj që shqiptarët në qeshor të presin hapjen e negociatave atëherë kur vendet anëtare të japin votën e tyre.” – u shpreh ajo në studion e Fax Neës.
Gjosha u shpreh edhe për pyetjen që një gazetare e Financial Times i bëri shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini mbi krimin e organizuar në Shqipëri dhe si duhen bindur vendet anëtare për të dhënë votën pro çeljes së negociatave.
“Pyetja e gazetarit të FT ishte pyetje e drejtë nga vende që ia duan të mirën Shqipërisë. E kuptoj edhe KE në vështirësinë për t’iu përgjigjur. Por është Shqipëria që përmes përmbushjes së standardeve duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.” – u përgjigj Klajda Gjosha.
(E.L./Faxweb)