Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha mori pjesë në mbledhjen e Komitetit të Monitorimit të fondeve të Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA). Gjatë fjalës së saj Gjosha theksoi se përpjekjet e përbashkëta për të siguruar zbatimin e efektshëm dhe në kohë të projekteve të IPA-s kanë bërë të mundur që prej dhjetorit të vitit 2016 te kemi 0 projekte problematike nga 7 të tilla që kishim në prill të vitit 2015.
Ministrja risolli në vëmendje rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Europian në vjeshtën e vitit të shkuar, duke theksuar se ky rekomandim, u bë i mundur vetëm në sajë të miratimit konsensual të reformës në drejtësi.
Ministrja tha se në vijim çelja e negociatave me Bashkimin Europian do të varet pikërisht nga rezultatet e prekshme të kësaj reforme, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut. “Në këtë kontekst, vëmendja që i është kushtuar mbështetjes për implementimin e reformës në drejtësi është tejet e çmuar. Bashkimi Europian do të japë për Shqipërinë 19.1 milionë euro, prej të cilave 10 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e vettingut”,tha Ministrja Gjosha.