Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dënuar gjuhën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç në adresë të kryeministrit të Kosovës.
Në një mesazh jo të drejtpërdrejtë drejtuar Kurtit, Vuçiç: “Dhe llumit terrorist i them; “Sigurohuni që të mos lëndoni asnjë serb, ju dhe kuislingët që keni zgjedhur. Sepse serbët do të dinë si të përgjigjen.”
Sipas tij, sjellja e të tilla dëshmojnë se lidershipi serb nuk është ndarë ende nga e shkuara. Ai thotë se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe askush nuk mund t’i imponohet me gjuhën e dhunës dhe presionit.
“Gjuha e urrejtjes ndaj kryeministrit të Kosovës nga presidenti i Serbisë është e papranueshme. Ajo dëshmon se lidershipi serb nuk është ndarë nga e shkuara. Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund ti imponohet me gjuhën e dhunës.Është koha që serbët e Kosovës të shohin drejt së ardhmes dhe mirëqenies, e të mos pranojnë keqpërdorimin e tyre për llogaritë politike të së shkuarës fatkeqe”, shkruan Basha.
Gjithashtu Aleksandar Vuçiç reagoi me zemërim ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.
“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë problem, sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”, u tha medieve në Beograd presidenti serb, duke theksuar se zoti Rashiç nuk e ka besimin e askujt në Kosovë, “por e ka besimin e (kryeministrit) Albin Kurti dhe perëndimit dhe mendojnë se kësisoj mund të frikësojnë serbët”.