Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur këtë të hënë që të vijojnë punimet për ndërtimin e Hece-ve në Zall-Gjoçaj të Matit.
Në këtë mënyrë është rrëzuar padia e banorëve të Zall-Gjoçaj të Mat-it, të cilët kërkonin anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë-Dea.
Banorët kishin paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, me objekt detyrimin e palëve për të ndaluar ushtrimin e aktivitetit të realizimit të këtyre HEC-ve, brenda zonës së mbrojtur.
Gjyqtari Bezart Kaçkini, në vendimin e marrë deklaroi se institucionet shtetërore nuk kanë vepruar, por proceduralisht nuk mund ta pranonte këtë padi.
Avokatja e banorëve, Dorina Asllani u shpreh se gjykata konstatoi një sërë shkeljesh, por i konsideroi ato si pavlefshmëri relative. “Në padinë e parë ne kërkuam pavlefshmëri absolute të akteve administrative. Gjykata u shpreh se keni të drejtë, ka shumë shkelje, por nuk është pavlefshmëri absolute, por pavlefshmëri relative”, tha Asllani.
Sipas saj banorët nuk kërkonin dot pavlefshmëri relative për shkak të afateve të kapërcyera. Ajo tha se padia do të dërgohej në apel, pasi gjykata ndërkohë i ka konstatuar 10 shkelje nga ana e institucionev. “Patjetër që ne do të ndjekim edhe hapat e tjerë ligjorë dhe do të bëhet ankim në apel”, shtoi Asllani.
Leja për HEC-it në Zall-Gjoçaj u miratuan në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por prej vitesh banorët e kundërshtojnë ndërtimin.
Kujtojmë se në mars të vitit që lamë pas banorët e Zall-Gjoçaj kanë protestuar përballë Bashkisë së Matit në lidhje me parandalimin e ndërtimit të HEC-ve në Sekë dhe Zais, gjë që tashmë u bë fakt i kryer përmes heqjes nga statusi si zonë e mbrojtur nga AKZM.
Gjatë protestës së atëhershme pati edhe momente të përplasjes mes banorëve dhe policisë, ku qytetarët e revoltuar tentuan të funsnin në bashki një arkivol, si simbol i vdekjes që sipas tyre sillnin HEC në zonë.
Discussion about this post