Gjykata e Qarkut të Jeruzalemit anuloi seancat dëgjimore të kësaj jave në gjyqin e gjatë për korrupsion të kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke pranuar një kërkesë që udhëheqësi izraelit bëri duke cituar arsye të klasifikuara diplomatike dhe të sigurisë.
Nuk ishte e qartë nëse një postim në rrjetet sociale nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndikoi në vendimin e gjykatës. Trump sugjeroi që gjyqi mund të ndërhynte në aftësinë e Netanyahut për t’u bashkuar në negociatat me grupin palestinez Hamas dhe Iranin .
Vendimi, i parë nga Reuters, tha se arsyet e reja të ofruara nga Netanyahu, kreu i agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, dhe shefi i inteligjencës ushtarake justifikuan anulimin e seancave dëgjimore.
Netanyahu u padit në vitin 2019 me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit – të cilat ai i mohon të gjitha. Ai e ka cilësuar gjyqin kundër tij si një gjueti shtrigash të orkestruar të krahut të majtë që synon të rrëzojë nga pushteti një udhëheqës të krahut të djathtë të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Të premten, gjykata hodhi poshtë një kërkesë të Netanyahut për të shtyrë dëshminë e tij për dy javët e ardhshme për shkak të çështjeve diplomatike dhe të sigurisë pas konfliktit 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit, i cili përfundoi të martën e kaluar.
Ai duhej të dilte në bankën e të akuzuarve të hënën për t’u marrë në pyetje.
“Është ÇMENDURI të bësh atë që prokurorët jashtë kontrollit po i bëjnë Bibi Netanyahut”, tha Trump në një postim në Truth Social. Ai tha se Uashingtoni, pasi i ka dhënë ndihmë Izraelit me vlerë miliarda dollarë, nuk do ta “durojë këtë”.
Një zëdhënës i prokurorisë izraelite nuk pranoi të komentojë mbi postimin e Trump. Netanyahu në X e ripostoi postimin e Trump dhe shtoi: “Faleminderit përsëri, @realDonaldTrump. Së bashku, do ta bëjmë Lindjen e Mesme përsëri të Madhe!”
Trump tha se Netanyahu po negocionte “tani” një marrëveshje me Hamasin, megjithëse asnjëri udhëheqës nuk dha detaje, dhe zyrtarët nga të dyja palët kanë shprehur skepticizëm mbi perspektivat për një armëpushim së shpejti. Të premten, presidenti republikan u tha gazetarëve se besonte se një armëpushim ishte afër.Interesi për zgjidhjen e konfliktit në Gaza është rritur pas bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit.