Një gjykatë në Boston i ka bllokuar përkohësisht administratës Trump të revokojë të drejtën e Universitetit të Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë .
Universiteti apeloi vendimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në gjykatën federale në Boston.
Masat e përkohshme e pengojnë qeverinë të revokojë akreditimin e universitetit në Programin e Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit, i cili u lejon universiteteve të presin studentë të huaj me viza të posaçme për të studiuar në Shtetet e Bashkuara.
“Ne e dënojmë këtë veprim të paligjshëm dhe të pajustifikuar”, tha Presidenti i Harvardit, Alan Garber, në një letër , duke shtuar se “revokimi është vazhdim i një sërë veprimesh qeveritare në shenjë hakmarrjeje kundër Harvardit për refuzimin tonë për të hequr dorë nga pavarësia jonë akademike dhe për t’iu nënshtruar vendosjes së paligjshme të kontrollit nga qeveria federale mbi kurrikulën tonë, fakultetin tonë dhe trupin tonë studentor”.
Përshkallëzimi i konfrontimit të qeverisë me Harvardin, i cili filloi të paktën dy muaj më parë , do të detyrojë më shumë se 6,000 studentë të huaj të regjistruar në universitet të transferohen në universitete të tjera ose do të humbasin statusin e tyre ligjor , sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Njoftimi i qeverisë amerikane të enjten erdhi si një tronditje për universitetet amerikane, të cilat tashmë po përballen me shkurtimet e fondeve dhe përpjekjet e qeverisë për t’i përshtatur ato me axhendën e saj. Në një postim në X, Ministrja Christy Noem kishte kërcënuar edhe universitete të tjera, duke thënë se vendimi i Harvardit “duhet të shërbejë si paralajmërim për universitetet e tjera”.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet zëvendëszëdhënëses së saj, Abigail Jackson, po këmbëngul në qëndrimin e saj të ashpër kundër universitetit dhe ka argumentuar se padia është e pavlerë .
“Nëse Harvardi do të interesohej kaq shumë për t’i dhënë fund plagës së agjitatorëve antiamerikanë, antisemitë dhe proterroristë në kampusin e tij, nuk do të ndodhej në këtë situatë”, komentoi zëdhënësja, duke përsëritur arsyetimin e departamentit, siç e kishte formuluar dje, se Harvardi është një “fole” elementësh antiamerikanë.