Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit për pushim të hetimeve të çeshtjes “Veliera”.
Në seancën e zhvillur në 14:30 është lexuar vendimi i gjykatës, i cili ka vendosur të pranojë kërkesën e prorkurorit Edmond Kaloshi.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Durrës, ka bërë të ditur përfundimin e këtyre hetimeve, me përfaqësues të akuzës Edmond Koloshin.
Në njoftim të datës 19.07 2018, thuhej se se në përfundim të hetimeve të kryera ka rezultuar ndër të tjera se Projekti “Veliera” është investim publik me karakter vendor me titull “Rivitalizim i sheshit publik para sheshit publik” me afat dy vjecar, projekt i cili shtrihet në pjesën më të madhe të tij jashtë zonifikimit arkeologjik dhe pjesërisht në zonën arkeologjike “A” dhe “B”. “Është me rëndësi të kuptohet se pothuajse e gjithë shtrirja e projektit “Veliera” ka qenë jashtë mureve fortifikuese të periudhës antike të vonë, mesjetare dhe osmane. Kjo do të thotë se nuk ka qenë pjesë e qytetit dhe nuk mund të ishte terrritor me intesitet ndërtimor.
Gërmimet kanë provuar se vetëm gjatë periudhës romake, vetëm pjesa verilindore e sheshit ka pasur një përdorim të ndryshëm nga ai mbrojtës. Nga periudha antike e vonë dhe deri në periudhën moderne, sheshi ka qenë pjesë e një koncepti fortifikues dhe mbrojtës. Afërsia me detin dhe lëvizja e vazhdueshme e bregdetit e ka lënë detyrimisht këtë territor jashtë mureve dhe të papërdorur. Nëse do të ishte ndërtuar, do të ishte objekt sulmesh nga forcat kundërshtare. Për më tepër, do të përbënin vështirësi për një mbrojtje efikase. Kjo situatë ka ndryshuar pas shfaqjes së artilerisë me barut… ” argumentohet ndër të tjera në këtë njoftim. Dukë lënë të kuptohet se kjo zonë ka marrë përdorim masiv pas viteve 1928, kohë në të cilën është bërë dhe shtrimi i vazhdueshëm i kanalizimeve të qytetit, kur rrafshohet konaku.
Organi i akuzës shprehet se ndryshimet e miratuara për këtë projekt janë nga organet kompetente si Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe ai i Arkeologjisë, çka sipas akuzës, nuk është në kompetencë për ta gjykuar këtë çështje nga kjo pikpamje. Gjithsesi, sipas Prokurorisë, mund të shprehet se projekti krijon mundësinë e ekspozimit të gjetjeve të zbuluara dhe si rrjedhojë, projekti në fjalë garanton kushtet teknike me qëllim intergimin, vizitueshmërinë, ruajtjen dhe inspektimin e gjetjeve nga personat e autorizuar. “Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme për këtë procedim penal dhe nuk ka nevojë që të kryhen veprime të tjera hetimor”, bën të ditur Prokuroria duke bërë të ditur kështu përfundim të këtyre hetimeve.