Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Kreshnik Farrukun i njohur edhe si Kreshnik Budlla, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Bradashesh, Elbasan, ka vijuar të mos e “zbatojë” këtë vendim, duke mbajtur të paraburgosur të shumëkërkuarin edhe këtë të Martë.
Vendimi për arrest në shtëpi ishte marrë fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në kuadër të procedurës së ekstradimit të tij drejt Italisë. Megjithatë edhe pas kalimit në instancën më të lartë gjyqësore dhe konfirmimit të kësaj mase nga Gjykata e Lartë, autoritetet e paraburgimit në Elbasan nuk kanë bërë ende asnjë lëvizje për të liruar Farrukun nga qelia dhe për ta transferuar në arrest shtëpie, siç parashikon vendimi gjyqësor.
IEVP Bradashesh dhe familjarët para se të ankohen për këtë institucion duhet të sqarohen nga Gjykata e Lartë për ecurinë e dërgimit të vendimit të marrë prej saj.
Emri i Kreshnik Farrukut ka qenë i pranishëm në dosjet e drejtësisë europiane që prej vitit 2010. Në maj të atij viti, ai u arrestua në Barcelonë bashkë me shtatë persona të tjerë, teksa u kapën me 20 kg kokainë që synonin ta trafikoni në Itali. Pas arrestimit të tij, drejtimin e grupit e mori vëllai i tij i vogël, Erniu, por edhe ai përfundoi në pranga në vitin 2012.
Në vitin 2014, Farruku arriti të arratisej nga burgu dhe për disa kohë i shpëtoi drejtësisë, derisa u kap sërish në vitin 2019. Dy vjet më pas, në vitin 2015, ai i mbijetoi një atentati të armatosur në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku ndodhej në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla. Gjatë atentatit u plagos edhe një kalimtare, ndërsa pista kryesore e hetimeve lidhej sërish me prishje të pazareve të drogës në Itali, Spanjë dhe Holandë.
Pasuritë e krijuara nga aktivitetet kriminale të dyshuara ndaj tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga organet ligjzbatuese. Në vitin 2012, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestrimin preventiv të pasurive të tij, të cilat arrinin vlerën e afro 1 milion eurove. Hetimet zbuluan se pasuritë ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij, babait Reshit Farruku dhe vëllait Roland Farruku – të dy banues në Shijak. Mes pasurive të sekuestruara përfshihej një pronë me vlerë 920 mijë euro në zonën turistike të Gjirit të Lalzit, si dhe një llogari bankare me mbi 6.2 milionë lekë.
Pavarësisht të gjithë këtij profili kriminal dhe përfshirjes në një mori dosjesh hetimore ndërkombëtare, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për të ndryshuar masën e sigurisë në “arrest në shtëpi” mbetet aktualisht i pazbatuar nga autoritetet përkatëse, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi zbatimin e vendimeve gjyqësore në praktikë dhe rolin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.